Nuk ka qenë aspak e këndshme mbrëmja e kaluar për reperin Noizy i cili ka shfaqur sërish atë anën rebele të një bad boy.
Policia e Durrësit e ka ndaluar 30 vjecarin në aksin Ura e Dajlanit-Plepa për disa orë pasi është kapur duke udhëtuar me makinën e tij, pa patur me vete lejen e drejtimit.
Gjithashtu, pasi është bërë verifikimi i targës, ka rezultuar se kishte shumë shumë gjoba të pashlyera. Për këtë është kërkuar që reperi të shoqërohet në komisariat, por ai ka kundërshtuar dhe i ka dhënë gaz makinës duke u larguar me shpejtësi. Policia i është vënë pas derisa e ndaloi.
Më poshtë njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Durrësit ka zbardhur detaje nga ndalimi i këngëtarit. Komisariati i Policisë Durrës filloi procedimin penal në ngarkim të shtetasit Rigers Rajku 30 vjeç, banues në Durrës. Më datë 16.12.2016, në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, duke drejtuar mjetin tip Benz me targa AA 517 MT, është ndaluar nga Efektivet e Qarkullimit Rrugor.
Uniformat blu i kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit dhe nga kontrolli u evidentua se nuk kishte leje drejtimi me vete dhe gjoba të papaguara.
Në vijim i është dhënë urdhër që të shoqërohet në ambientet e Komisariatit, (deri në momentin që ndonjë person të sillte lejen e tij të drejtimit dhe të paguante gjobat), por ai nuk i është bindur punonjësve të policisë dhe është larguar së bashku me mjetin.
Menjëherë Efektivet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij së bashku me mjetin në Komisariat.
Mjeti është sekuestruar. Pas kryerjes së veprimeve procedurale materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”parashikuar në nenin 242 të Kodit Penal.
Ndërkohë vetëm pra pak minutash, Noizy është nisur drejt Italisë ku me siguri do të mbajë koncertin e radhës.