Ndërsa fansat presin me padurim daljen e albumit të tij të radhës, Noizy-t duket se i pëlqen të luajë pak.
“Në prill do të rrëzoj gjithcka dhe gjithkënd” ka thënë ai lidhur me albumin duke mos dhënë një datë fikse për këtë.
Ajo që mund të bëjnë fansat e flaktë është që të presin datën 1 prill, kur reperi do të jetë i ftuar në emisionin “Zonë e lirë” dhe ku me siguri do të thotë diçka më tepër për albumin me titull “Zin city”.
Një qytet i tërë që do të flasë gjuhën e tij. Por hmmm… data 1 prill është paksa dyshuese… dhe vështirë të kuptosh nëse ai po gënjen apo thotë të vërtetën. Sidoqoftë, Noizy është reperi me axhendën më të ngjeshur të koncerteve. Ai surprizoi ditë më parë kur gjatë një interviste deklaroi se shifra që merrte për një koncert, i kalonte 15.000 euro.
Pjesë e sipërmarrjeve të tij është edhe firma e veshjeve “Ilyrian blood line” që u hap verën e kaluar dhe ku shitjet bëhen online. “Unë nuk e ndjek modën, tashmë është moda që më ndjek mua” thotë Noizy. Aktualisht, reperi po punon për të patur patentën e labelit të tij “OTR” që do të ketë nën menaxhim edhe shumë artistë të tjerë.