INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nuk është shaka! Hashashi po shkatërron bletët [VIDEO]

Nuk është shaka! Hashashi po shkatërron bletët [VIDEO]

Publikuar më: 08:11 17-04-2017

Bletët po zhduken! Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit janë braktisur 40 për qind e koshereve. Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë pohon se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për vitin 2016, më shumë se 144 mijë koshere nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet janë kolosale, 58 milionë euro. Bletarët e kontaktuar nga “Monitor” bënë si shkaktar kryesor të humbjeve kultivimin masiv të hashashit në vend
Refik Kutrelli, nga komuna Orenje e Librazhdit, humbi këtë vit të 27 kosheret e bletëve. Bleta e fundit iku javën e kaluar dhe tani kanë mbetur kosheret me mjaltë.
Familja Kutreli, përveç bagëtive, e kishte burim kryesor të ardhurash mjaltin. Prej vitesh, Refiku është marrë me mbarështimin e bletëve, por ajo që i ka ndodhur në vitin 2016 e ka befasuar. Është i shqetësuar nga fakti se ende nuk po kupton shkaqet se pse bletët i kanë ikur nga kosheret e nuk janë kthyer më. Fenomeni, sipas tij, është i përhapur në të gjithë Librazhdin këtë vit dhe vetëm në komunën Orenje, rreth 2000 bletë nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet për familjet fermere që sigurojnë jetesën në këtë mënyrë janë të mëdha. Bletërritësit e zonës në shumë raste bëjnë me faj kultivimin e drogës në kodrat përreth, e cila i ka “harlisur” bletët, të cilat nuk kanë gjetur më rrugën për t’u kthyer në koshere.
Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, ndërthur shumë faktorë që kanë çuar në këtë humbje. Dimri i acartë, mungesa e standardeve në mjekim dhe përhapja masive e rriqrës kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuar në humbje. Ajo nuk e përjashton faktin se kultivimi i drogës ka ndikuar negativisht, por shpjegon se nuk ka fakte shkencore ose të dhëna laboratorike për këtë fakt. Por Shehu thotë se era e bimës mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.

Hashashi si shkaktar
Për disa zona, humbja e bletëve këtë vit ka qenë atipike. Banorët janë të tronditur pasi bleta ka ikur në kullotë dhe nuk është kthyer më. Por edhe mbi këtë fenomen, bletarët kanë pikëpamje të ndryshme. Në kohën kur hashashi mbillej në Lazarat, në të njëjtën kohë lazaratasit kishin edhe bletë. Madje mjalti i Lazaratit nisi të marketohej si mjaltë hashashi dhe shitej shumë shtrenjtë në treg, për shkak të efekteve që karakterizojnë bimën. Por disa bletarë të tjerë mendojnë se është pikërisht hashashi që po i vret bletët. Në Lazarat kjo nuk ka ndodhur pasi bima ka qenë relativisht e shkurtër dhe jo e dëmshme.
Por një banor nga Orenja e Librazhdit thotë se bletët ishin të shëndetshme, por kanë lënë zgjojet plot me mjaltë dhe nuk janëkthyer nga kullota. Kemi dyshime për hashashin, por nuk kemi kryer analiza shprehet ai.

Article Logic
Execution time: 0.003680944442749