Pas një gare të mbushur me emocion dhe konkurrencë të fortë, Elvana Gjata arriti të sigurojë çmimin e dytë në edicionin e fundit të Festivalit të Këngës me këngën e saj “Karnaval”. Këngëtarja, e mbështetur nga fansat e saj, përfundoi vetëm disa pikë larg fituesve, duke lënë hapësirë për grupin “Shkodra Elektronike” të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.
Elvana siguroi një total prej 135 pikësh, ndërsa fituesit, grupi “Shkodra Elektronike” me këngën energjike “Zjerm”, grumbulluan 143 pikë. Ky rezultat u arrit falë një kombinimi të pikëve nga juria dhe votat e publikut, një risi për këtë edicion të festivalit.
Pas shpalljes së rezultateve, Elvana shprehu mirënjohjen e saj të thellë për dashurinë e publikut dhe dërgoi një mesazh frymëzues për fansat e saj:
“Faleminderit me zemër dhe mos harroni se jeta është si karnaval dhe asnjë lot nuk është final. Ju dua shumë. Mos u mërzisni të gjithë fansat e mi që kanë ardhur të më mbështesin. Jeta më ka mësuar që 10 herë të bie, 11 herë do ngrihem.”
Pavarësisht se nuk arriti të fitojë këtë vit, Elvana tregoi përsëri forcën e saj artistike dhe lidhjen e ngushtë me publikun, duke e mbyllur këtë edicion me një mesazh të fuqishëm dhe pozitiv.