Në kohën kur Koronavirusi po pushtonte në mënyrë alarmante Europën, Suedia zgjodhi që ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve, të mos i nënshtrohej një izolimi total.
Pavarësisht panikut global, Suedia zgjodhi të mbante hapur baret, restorantet, palestrat e kinematë.
Dhe mesa duket ky vendim paska sjellë pasoja të rënda për Suedinë. Tashmë ajo ka kaluar Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Belgjikën përsa i përket numrit më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 për frymë.
“The Telegraph” shkruan se Suedia regjistroi numrin më të madh të jetëve të humbura për frymë në të gjithë kontinentin e Evropës javën e fundit.
Suedia ka 6.08 vdekje në ditë për një milion banorë, dhe këtë ritëm po e mban që nga 13 maji. Është një përqindje shumë më e lartë sesa në vendet e tjera si Britania e Madhe (5.57), Belgjika (4.28), Italia (2.97), Spanja (2.62) dhe Franca me (2.26).
Megjithatë shifrat po ndryshojnë varësisht nga vendi. Në Spanjë numri i vdekjeve për një milion banorë që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë së COVID-19, është 594.12, Italia ka numrin 529.38 dhe Britania e Madhe 512.57 vdekje për një milion banorë.
Këtu Suedia është larg tyre, pasi ajo numëron 336.17 vdekje në një milion banorë.
Pra, vlen të theksojmë se ka numrin më të lartë të vdekjeve, por më pak raste pozitive me Covid-19 në tërësi.
Konkretisht Suedia numëron 31,523 raste pozitivë me koronavirus, nga të cilët fatkeqësisht kanë ndëruar jetë 3,831.
Kujtojmë që strategjia e Suedisë që nuk praktikojnë distancën fizike sociale është kritikuar ashpër nga shumë njerëz, duke e cilësuar si eksperiment të rrezikshëm.