Ndeshja që vlente sa një titull është mbyllur me rezultat të barabartë 1-1 mes Partizanit dhe Kukësit, ndeshje kjo e luajtur në “Selman Stërmasi”. Një ndeshje shumë e bukur, e luftuar nga të dyja ekipet por që në fund prodhoi vetëm dy gola dhe shumë emocione.
Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë nga Kukësi të cilët shokuan vendasit me anë të Dvornekoviç në minutën e 21-të. Ashtu siç e nisi, Partizani nuk u step nga goli, por këmbënguli akoma më shumë për t’a gjetur atë.
Duhet të niste pjesa e dytë, më saktë vetëm pas 26 sekondash që Partizani të gjente finalizimin pas një rrëmuje në zonë me Ekuban. Minutat në vijim sollën frikë për të dy skuadrat që nuk kërkon kurrsesi të dilnin me humbje nga kjo ndeshje. Dhe kështu ndodhi.
Me vetëm një pikë duket se më i kënaqur është Kukësi që mbetet në vendin e parë me 66 pikë, po aq sa Partizani, por që avantazhohet nga ndeshjet direkte dhe thellon rekordin me 32 ndeshje pa provuar shijen e humbjes.