INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nuk luftoi grupet terroriste, SHBA ndërpret ndihmat ushtarake për Pakistanin

Nuk luftoi grupet terroriste, SHBA ndërpret ndihmat ushtarake për Pakistanin

Publikuar më: 09:03 02-09-2018

Shtetet e Bashkuara kanë anuluar ndihmat ushtarake prej 300 milionë dollarësh për Pakistanin, për shkak të asaj që konsiderohet si dështim i Islamabadit për të ndërmarrë veprime kundër grupeve të militantëve terroristë. Presidenti Donald Trump e kishte akuzuar edhe më herët Pakistanin se po mashtronte Shtetet e Bashkuara ndërkohë që përfitonte miliarda dollarë prej vendit të tij.
Zëdhënësi i Pentagonit, Konè Faulkner tha se ushtria amerikane mund t’i shpenzojë paratë për “prioritete të tjera urgjente”. Gjithsesi, kjo lëvizje që pret edhe miratimin nga Kongresi amerikan është pjesë e një pezullimi më të gjerë të njoftuar prej muajit janar. BBC shkruan se “departamenti amerikan i Shtetit e ka kritikuar Pakistanin, një aleat kyç, për dështim në përballjen me rrjetet terroriste që operojnë në tokën e tij, përfshi rrjetin “Haqqani” apo talebanët afganë.
“Ende presim që Pakistani t’i godasë pa dallim të gjitha grupet terroriste”, tha Faulkner në deklaratën e së shtunës, ku shtoi se ndihma prej 300 milionë dollarësh, e cila fillimisht ishte pezulluar, duhet të përdoret diku tjetër, për shkak të “mungesës së veprimeve të vendosura nga Pakistani” në përballimin e kësaj çështjeje. Njoftimi vjen vetëm pak ditë përpara se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo të vizitojë Pakistanin, për t’u takuar me kryeministrin e ri të vendit, Imran Khan. Në janar, qeveria amerikane kishte njoftuar se do të ndërpriste thuajse të gjitha ndihmat për sigurinë në Pakistan. Ndërkohë, të premten Shtetet e Bashkuara i dhanë fund edhe financimit të agjencisë për refugjatët palestinezë të OKB-së, (UNRWA), të cilën e përshkruan si “me të meta të pandreqshme”.
Kush janë militantët që dyshohet se mbështeten nga Pakistani?
Rrjeti Haqqani është një grup militant që fokuson shumicën e aktiviteteve të saj në Afganistanin fqinj, i cili është ankuar për vite se Pakistani lejon që ajo të operojë pa pengesa në pjesën e territorit të saj përgjatë kufirit. Grupi është i lidhur me talebanët afganë, një lëvizje islamike e ashpër që përbën një kërcënim të madh për qeverinë afgane.

Article Logic
Execution time: 0.0038290023803711