Ka thyer çdo rekord, duke lënë pas edhe të famshmit U2 dhe e kemi fjalën për këngëtarin e njohur Ed Sheeran, i cili me turneun e tij me titull “Divide tour” bëhet zyrtarisht kampion i fitimeve prej shitjes së biletave.
Artisti britanik, me anë të turneut të tij nëpër botë, tashmë prej dy vjetësh e gjysmë, me performancën në Hannover (koncerti i 246-të) në Gjermani, do arrijë kuotën e 736,7 milionë dollarëve të fituar nga shitja e biletave, duke thyer edhe rekordin e deri tanishëm të 735,4 milionëve, mbajtur nga Bono dhe shokët e tij, shkruan Ora News.
Lajmi bëhet i ditur nga revista “Pollstar”, e specializuar në industrinë e koncerteve.
Vetë Sheeran shkruan në rrjetet e tij sociale zyrtare: “Falenderoj një për një të gjithë ata që erdhën në koncertet e mia”, komentoi kantautori.
Deri në përfundim të turneut janë edhe 12 data.