Arrestohen në flagrancë 16 drejtues mjetesh pasi janë konstatuar duke shkelur regullat e qarkullimit rrugor. Gjatë fundjavës që lamë pas, Policia Rrugore në kryeqytet ka konstatuar dhe arrestuar 9 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim pa patentë. Nga aksioni me fokus kontrollin e normave të shpejtësisë, janë pezulluar 86 leje drejtimi, nga të cilat:
27 për shpejtësi tej normave të lejuara, 30 për pije alkoolike, 7 për mosbindje ndaj shenjës së ndalimit të punonjësit të policisë dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt me atë të lejuar.
Gjithashtu, janë proceduar për mos rregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi 12 drejtues mjetesh, nga të cilat 3 raste kanë rezultuar nën efektin e alkolit. Nga kontrollet policore të ushtruara në fundjavë, 75 mjete janë bllokuar, ku 27 prej tyre kanë patur mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim, si dhe janë vendosur 645 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Policia u bën apel jo vetëm drejtuesve të mjeteve, por edhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Ky është edhe aksioni i dytë i policisë për këtë javë në kuadër të Operacioneve ‘’Tispol” korrik 2018. Duke qënë se ky është një nga sezonet me fluksin më të lartë të lëvizjeve si në akset brenda qyetetit dhe ato nacionale, ju është kërkuar drejtuesve të mjeteve që të respektojnë Kodin Rrugor, duke evituar në këtë mënyrë aksidentet.