Policia Rrugore ka vijuar përgjatë fundjavës kontrollet me drager e radar në rrugët interurbane dhe urbane duke shtuar shërbimet policore.
Kontrollet bëhen në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe verifikimit të kundravajtjeve administrative që janë rrezik për ngjarje rrugore.
“Pavarësisht shtimit të punonjësve të Policisë, kontrolleve të pandërprera përsëri ka shumë drejtues mjetesh që abuzojnë” sipas njoftimit të policisë.
Nga kontrollet e deritanishme, Policia njofton se janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 9 persona për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 të papajisur me leje drejtimi. Gjithashtu po gjatë fundjavës janë pezulluar 69 leje drejtimi, nga të cilat 39 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur si dhe 30 të tjerë për shpejtësi mbi normat e lejuara.
“Janë konstatuar dhe ndëshkuar 6 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtesie në qendrat e banuara. Janë konstatuar dhe ndëshkuar 7 mjete për xhama të errësuar , janë konstatuar dhe ndaluar administrativisht 11 mjete për detyrime administrative të pashlyera si dhe janë vendosur 121 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor” sipas Policisë Rrugore.