Ditën e sotme “Forbes” ka publikuar listën e saj të përvitshme me 100 personazhet më të paguar dhe Taylor Swift është rikthyer sërish në fron. Artistja e njohur këtë vit renditet në vendin e parë me një shumë marramendëse prej 185 milionë dollarësh. Sipas “Forbes” fitimet më të mëdha të Swift vijnë nga turneu i saj “Reputation Stadium Tour”, prej të cilit ka marrë 266.1 milionë dollarë.
Gjithashtu Taylor ka fituar shuma të mëdha parash nga nënshkrimet e kontratave me “Apple”, “AT&T” si dhe “Diet Coke”. Kjo nuk është hera e parë që Swift qëndron në krye të listës të personazheve më të paguar, sepse edhe në 2016-tën ajo ishte në vendin e parë me 170 milionë dollarë. Gjithashtu Taylor është artistja e parë që për 2 vite zë vendin e parë në këtë listë. Këtë vit në vendin e dytë renditet Kylie Jenner me 170 milionë dollarë, ndërsa në vendin e tretë Kanye West me 150 milionë dollarë.