Një 51 vjeçar nga Librazhdi është vënë në pranga të policisë. Mësohet se shtetasi Dëfrim Dervishi është arrestuar për mitëdhënie një drejtues mjeti në Librazhd. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me efektivat e policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Librazhd bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Dëfrim Dervishi, banues në fshatin Katjel.
Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Urakë – Qaf Thanë, është ndaluar nga Patrulla e Policisë Rrugore, për arsye se ka qënë duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa AA 123 AH në shkelje të Kodit Rrugor.
Në momentin e ndalimit ky shtetas ka tentuar t’i jap 1000 lekë punonjësit të policisë rrugore me qëllim që ti shmangej masës administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale mjetin dhe lekët. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.