INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Odise Roshi: Nuk ka favoritë, do ti marrim ndeshjet me rradhë

Odise Roshi: Nuk ka favoritë, do ti marrim ndeshjet me rradhë

Publikuar më: 18:22 07-06-2016

Odise Roshi, është lojtari me më shumë minuta te kombëtarja jonë në “erën” De Biasi, dhe kjo si rezultat i punës së tij. Mesfushori fierak e ndjen veten titullar në formacionin aktual të Shqipërise dhe është gati për sfidën e parë europiane duke besuar se  Shqipëria ka mundësi të shkruajë një tjetër faqe të historisë pas kualifikimit historik. Humbja me Ukrainën nuk duket se ka ndikuar shumë në kampin kuqezi, pasi Roshi thotë se atmosfera është shumë e mirë dhe lojtarët janë në formë.

“Ndaj Ukrainës luajtëm mirë dhe pësuam dy gola që nuk i meritonin. Kemi punuar me dy seanca në ditë dhe humori është shumë i mirë. Çdo gjë është në rregull. Duhet të japim maksimumin sepse nuk kemi cfarë të humbasim dhe besoj se do t’ia dalim mbanë. E shikoj veten titullar por vendimin e merr trajneri”.

Nëse De Biasi vendos të besojë te Roshi, atëherë në krahun e tij ai do të përballet me një lojtar ekspert si Rodriguez, por Roshi nuk i trembet kundërshtarit edhe pse e vlerëson atë.

“E njoh Rodriguez, kam luajtur 3-4 herë kundër tij. Është një lojtar me shumë eksperiencë por do të jap 100 % në fushë dhe dua të bëj sa më mirë punën time”.

 Ai kërkon që skuadra të luajë si e barabartë në çdo ndeshje, pasi në Grupin A nuk ka favoritë.

“Nuk mendoj se ka favoritë. Jemi një ekip kompakt dhe do të japim maksimumin në çdo ndeshje”. “Ne po punojmë shumë dhe kur do të hyjmë në fushë do të japim gjithçka për njëri-tjetrin dhe për fanellën. Nuk dua të bëj parashikime, por do t’i marrim ndeshjet me radhë”

Article Logic
Execution time: 0.0029878616333008