INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ofendoi gazetarët, reagon për herë të Rama: Nuk kam fyer askënd, thjesht...[FOTO]

Ofendoi gazetarët, reagon për herë të Rama: Nuk kam fyer askënd, thjesht...[FOTO]

Publikuar më: 19:20 25-10-2017

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me incidentin e ditës së sotme me gazetarët që po e intervistonin pas mbarimit të seancës parlamentare për çështjen “Tahiri”. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Rama nuk pranon të ketë ofenduar askënd duke shtuar se ka shprehur vetëm një opinion për punën e mediave në Shqipëri.

Ja statusi i plotë:
“Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë ! Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!
Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!
Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos dëgjojnë dhe të mos kuptojnë. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët dhe kur çka nuk e dinë, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik të një profesioni aq fisnik e të vështirë.
Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall dhe o burra bjeri t’i biem); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një gryjë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!
Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.

Article Logic
Execution time: 0.0036759376525879