INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Opozita: Janë manipuluar votat. Balla: Jua tregoj unë se kush ka votuar në vend të Tavos

Opozita: Janë manipuluar votat. Balla: Jua tregoj unë se kush ka votuar në vend të Tavos

Publikuar më: 11:51 09-07-2018

 

Opozita ditën e sotme ka bojkotuar seancën plenare duke mos u paraqitur.

Megjithatë ata kanë zgjedhur që të përfaqësohen nga dy krerët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Të dy përfaqësuesit kanë mbajtur të njëjtin qëndrim duke deklaruar se vota e deputetit të LSI-së Vagjel Tavo është manipuluar.

Por akuzave të opozitës i është përgjigjur Taulant Balla i cili ka deklaruar se vota nuk është manipuluar por se deputeti i pavarur Robert Bitri ishte pajisur me një karton, që ka rezultuar të jetë i Tavos.

 

Fjala e plotë e deputetëve

“Çdo standard i funksionimit ka rënë. Është vijimësi i të njëjtit standard, i cili i hoqi mundësinë dy javë më parë opozitës që të vazhdonte të fliste. Në përputhje me Rregulloren, kërkesa jonë për shkak të kësaj séance që është kërkuar pikërisht nga ju që të zhvillohet ditën e hënë, është depozituar dy ditë më parë, sikurse Rregullorja e kërkon. Pra ka qenë gjithë koha e nevojshme për të bërë gjithë investigimin e duhur për këtë çështje, pasi është fare e qartë që nuk mundet që Parlamenti të funksionojë si ditët e tjera, përderisa ka zgjedhur të funksionojë për ditën e hënë, sigurisht duhet ta bënte. Është standard shumë i ulët, që u verifikua më në fund në sallën e parlamentit, ku vota u tjetërsua në mënyrën më të turpshme që mundet. Për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme që në këtë situatë ne të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe të jemi këtu dhe të ligjërojmë pikërisht për këtë gjë e cila ishte një emergjencë që duhet të verifikohej dhe nuk mund të hapej seanca. Pikërisht për këto arsye dhe kjo situatë e papranueshme bën që mos të vazhdojmë dot së bashku derisa kjo situatë të sqarohet dhe ky rivotim të kryhet”, tha Vasili.

“Zoti Kryetar! Ditën e enjte është kryer votimi për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, një akt i paprecedentë. Por më shumë se përmbajtja e ligjit edhe vetë procesi i votimi ka pasur defekte, rezultati është manipuluar. Një prej deputetëve të opozitës nuk ka qenë prezentë në sallë, rezulton të ketë votuar pro ligjit për shembjen e teatrit. Sikurse e tha edhe kolegu Vasili nuk është hera e parë në këtë Kuvend që të ndodhin çudira të tilla. Edhe në të shkuarën ne jemi privuar nga e drejta për të folur nëpërmjet vullnetit të shumicës. Kërkesa jonë për të anuluar votimin për ta rivotuar ligjin është bërë para dy ditësh. Duke qenë se çështja është urgjente dhe mjaft e rëndësishme, shumë e rëndësishme. Nuk e besoj se ka ndonjë gjë më të rëndësishme se pretendimi që ka opozita për manipulimin e rezultatit të votimit për një ligj special, të veçantë. Kështu që e para gjë që duhej të bënte Kuvendi mendoj që gjatë këtyre dy ditëve deri në seancën e sotme do të ishte verifikimi i pretendimeve të opozitës dhe sot të kishim një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur. Të ndodhur në këtë situatë, në këto kushte ne si opozitë nuk do të marrim pjesë në seancën e sotme për shkak se gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme. Opozita jo vetëm po privohet për të drejtën e fjalës por për më keq, vullneti i saj po detyrohet nëpërmjet mekanizmave të tilla të cilat falsifikojnë votimin e një ligji kaq të rëndësishëm dhe të kontestuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik”, u shpreh Edmond Spaho.

“Dua të sqaroj opinionin publik se nga ana e Grupit Parlamentar Socialist nuk ka pasur asnjë deputet që të ketë votuar në emër të një deputeti tjetër. Deputetit të pavarur Robert Bitri në vendin që ai voton i është vënë kartë e një deputeti tjetër dhe sigurisht që kamerat apo shërbimet e Kuvendit le ta hetojnë dhe ti shkojnë deri në fund kësaj çështjeje. LSI dhe PD kanë detyrimin ti thonë opinionit publik arsyen e vërtetë të bojkotit të kësaj seance. Nuk ka fare të bëjë bojkotimi i kësaj seance me kërkesën, sepse në mos 75, 74 vota, nëse e drejta z. Bitri do ti hiqet me pa të drejtë në fakt, sepse në fund të fundit ka marr pjesë në atë pjesë të sallës, ku nuk ka asnjë deputet socialist. Kush fshihet pas këtij skenari, gjoja për të prishur votimin e ditës së enjte, të gjithë e kuptojmë. Le ti hedhim një sy të gjithë agjendës parlamentare të ditës së sotme, e pavarësisht kësaj unë përsëri i bëj thirrje, në radhë të parë LSI-së, nuk kam asnjë dyshim që PD-ja është kundra, që sot ne duhet ta votojmë Ligjin për Shkollën e Magjistraturës. Sot Shqipëria duhet të japi një mesazh tjetër në
rrugën e vet drejt anëtarësimit në BE, që detyrimet tona përkundrejt implementimit të mëtejshëm të Reformës në Drejtësi duhet të vijojnë. Kjo është arsyeja e këtij bojkoti. Sa i përket procedurës, dy anëtarët tanë të sekretariatit të votimit janë të gatshëm që ta marrin ta shqyrtojnë kërkesën, por PD-ja të paktën të ushtrojë të drejtën që kërkesën e vet, të sjelli anëtarin e vet që ka në sekretariatin e votimit, që sekretariati të mblidhet. Kjo vetëm që bojkotojnë seancën, por bojkotojnë dhe sekretariatin për të shqyrtuar kërkesën që kanë bërë po vetë”, deklaroi Balla.

Article Logic
Execution time: 0.0037140846252441