INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Opozita kallëzon Arta Markun: Largoi prokurorët e Tahirit për të mbyllur çështjen

Opozita kallëzon Arta Markun: Largoi prokurorët e Tahirit për të mbyllur çështjen

Publikuar më: 14:43 21-09-2018

Opozita e paditi kryeprokuroren për shpërdorim detyre, për shpërbërjen tërësisht të grupit të prokurorëve që hetuan çështjen penale ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ajo akuzon Arta Markun se ka ndërhyrë në mënyrë që të dështojnë hetimet ndaj tij. Në emër të opozitës, kallëzimin e depozituan në prokurorinë e Tiranës, kryetarët e grupeve parlamentare PD- LSI, Spaho dhe Vasili.
Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”.
“Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta Imeraj, Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, z. Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit. Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”- thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës.
Në Kallëzimin Penal theksohet gjithashtu, se akte të tilla të paligjshme nga Arta Marku, provojnë tërësisht se qëllimi i saj në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Ramës, dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj Qeverie apo organizatave kriminale të lidhura me të. Duke qenë se Arta Marku drejton prokurorinë dhe kallëzimi është bërë tek vartësit e saj në Prokurorinë e Tiranës, opozita ka kërkuar njëkohësisht edhe marrjen e masës së përkohshme të pezullimit nga detyra deri në përfundimin e hetimit.

Article Logic
Execution time: 0.0033369064331055