INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Opozita pengon zhvillimin normal të senacës parlamentare! Deklarata të forta, bllokim të foltores dhe gjuajtje me vezë…

Opozita pengon zhvillimin normal të senacës parlamentare! Deklarata të forta, bllokim të foltores dhe gjuajtje me vezë…

Publikuar më: 13:37 25-02-2016

Me nisjen e seancës parlamentare, opozita ka shprehur indinjatën, që garda ka kontrolluar imtësisht deputetët. E kanë kërkuar, që në nisje 10 minuta pushim me argumentin se do të mbledhin grupin parlamentar. Vendimi është marrë pas refuzimit të kërkesave të PD-së nga ana e Konferencës së Kryetarëve.

E teksa kanë dalë nga salla kanë komentuar me rradhë. Të parët, që kanë folur ishin deputetët e përfolur opozitarë, për të cilët u pretendua se kishin në xhepa vezë. Deputeti i PD, Bedri Hoxha e kaloi me humor faktin, që garda i gjeti disa vezë në hyrje të Kuvendit. “Unë ha vezë çdo mëngjes”  i tha deputeti gazetarëve, kur e pyetën.

Ndërkohë, Liljana Elmazi tha se nuk ishte e vërtetë, që iu gjetën vezë në portofol. Ajo i tregoi gazetarëve se nuk kishte pasur asnjë vezë në portofol. Ndërsa  Eleini Qirici ka sqaruar se niveli i saj nuk shkon dot deri në këtë pikë, madje për ta faktuar ka kërkuar, që të merren videot e kuvendit në mometet kur garda e kontrollon.

Ndërsa Ish-Kryeministri, Sali Berisha ka paralajmëruar para gazetarëve se mund të dorëzojë mandatin e tij të deputetit, duke argumentuar se Kuvendi i Shqipërisë është mbushur me kriminelë.

Ja ç’u tha Berisha gazetarëve:

“Këtu është bërë e padurueshme, nuk ka ndodhur kurrë të vidhet haptas. Ndaj dhe unë do konsideroj shumë seriozisht qëndrimin tim në këtë strofull krimi. Jam duke menduar personalisht, do rishqyrtoj qëllimin tim ndaj këtij Parlamenti. A jeni dëshmitarë se si Olsi Rama (vëllai i Kryeministrit) del protagonist në vjedhjen e shtetit. Mund të vazhdohet më kështu? Unë mendoj se nuk mund të vazhdohet më kështu. Të gjitha opsionet janë të hapura. Unë mendoj se çdo shqiptar duhet t’i thotë vetes ku jemi dhe ku po shkojmë. Ka kaluar afati i këtij Parlamenti”

Pas pushimit opozitarët u kthyen në sallë dhe i pari, që morri fjalën ishte kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, ku ngriti akuza të forta kundrejt qeverisë dhe deputetëve të majtë. “Me krimin vazhdo ti Edi Rama, ne nuk të vijmë nga pas, kalo sot vendimin për zbatimin e dekriminalizimit se në të kundërt parlament nuk mund të ketë” – tha Paloka. Ai përsëriti të njëjta kërkesa, që Basha lëshoi një ditë më parë, duke” kërcënuar” se pa plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të funksionojë më kjo foltore e ky është shansi i fundit. Paloka ka përmendur dhe emra si Prenga, Kokëdhima dhe Leskaj si të përshirë në krim dhe korrupsion.

Pjesë nga fjala e Palokës:

“Kryeministri Rama, duke ndjekur metoda perverse, e nxorri Prengën nga burgu dhe e risolli sërish në Kuvend. Si ka mundësi që ky akt skandalizon të madh e të vogël, demokratë e socialistë, shqiptarë e të huaj. Ndërsa për ty prapë nuk është problem. Unë e di, ne e dimë që ti je në ethet e kongresit, dhe këtë soj, këta njerëz të hurit e të litarit ti i ke thirrur nën armë. Paranoja jote, të bën të mendosh se deputeti-bandit që gjakos me pistoletë në mes të komisariatit, duke lënë disa të plagosur, është ok, është më i vlefshëm është më i dëshirueshëm se një socialist i thjeshtë. Ti e di se je më i izoluar, më i pabesueshëm, më i braktisur se kurrë. Ankthi yt, kriza që ke, sepse e di që nuk të besojnë më as socialistët, e jo më qytetarët, të bën të thërrasësh sërish nën shërbim kriminelët, banditët, trafikantët. Siç ke bërë nga veriu në jug. Me krimin, me korrupsionin, me shkeljen e Kushtetutës për xhepat e Kokëdhimës, Rakip Sulit e Vali Leskajt, me këto akte të rënda ulur në këto karrige, parlament nuk ka. Ti ke thjesht kartonat, por kartonat s’janë parlamenti. Të votohen aktet ligjore për Dekriminalizimin, në të kundërt Parlamenti nuk ka më funksion, pasi është i mbushur me deputetë me të shkuar kriminale.

Pas fjalës së tij reagoi dhe Leskja mbi akuzat duke i thënë se nuk është niveli i tyre dhe se ajo përgjigjet vetëm bazuar në dokumenta.

Po deputetja e opozitës, Jozefina Topalli, u ngrit dhe kërkoi, që mos të ketë më seancë dhe i kujtoi konçensionet për hekurudhat. Madje nuk nguroi të bëjë dhe një batutë kur iu tha se më mirë të dalin nga salla Rama, Leskaj dhe të tjetër dhe të qëndrojnë në parlament Armando Prenga.

Pjesë nga fjala e Topallit:

“Zonjë, sot nuk ka seancë plenare. Ju vetëm tregoni sa frikë keni kur nuk tregoni se respketoni rregulloren për të futur në rendin e ditës, kërkesën e PD-së, që nuk mund të futen në Kuvend kriminelë, që kanë qëlluar me armë qytetarët e vet. Ju e keni detyrim të hidhni në votim me 3/5 e votive, propozimin e hedhur nga Grupi parlamentar. Mos u nervozoni ju, por qytetarët shqiptarë që ju keni marrë koncensionin e ndërtimit të të gjithë hekurudhave. Z.Rama, mos u bëj me nerva ti. Për çfarë e mbani Armandon që vjen këtu? Se ka vetëm një emër, që Rama e mban këtu dhe për të terrorizuar qytetarët. E mira është të ikësh nga ai vend dhe të ulësh Armandon.”

Po pas këtyre akuzave deputetët e opozitës u ngritën të gjithë në këmbë duke bllokuar seancën në parlament, në shenjë proteste për refuzimin e ndryshimit të ligjit për dekriminalizmit. Deputetët mbajnë në dorë dhe pankarta ku shkruhet: Jashtë kriminelët.
E nënkryetaria e parlamentit, Valentina Leskaj pas këtij akti vendosi të kërkojë sërisht disa minuta pushim. Po nuk zgjati më gjatë, pasi bllokimi i foltores nga opozita detyroi Leskjan në kushte të jashtëzakonshme të kalonte për votim të gjitha projektligjet dhe dekrete për shkarrkimin e Canit dhe emërimin e Milva Ikonomit si Ministre të Ekonomisë dhe Arben Ahmetaj si Ministër të Financave. E sapo përfundoi momenti i votimit senanca u mbyll menjëherë.

Po vezët nuk mundën të ndaloheshin të gjitha edhe pse garda i kontrolloi deputetët, ato “fluturuan” në kokat e të gjithëve madje dhe të vetë kryeministrit.

Deklaratat e deputetëve kanë vijuar edhe në oborrin e parlamentit. Jozefina Topalli ka bërë një deklaratë të ngjashme me Bershën.

Ja ç’tha:

“Do të lëshojmë mandatin sepse është e pamundur të rrimë me krimin brenda. Është një situatë e paimagjinueshme, është një krizë parlamentarizmit, një degradim, një situatë në të cilën ka varfëri dhe mjerim, papunësi dhe eksod. Nuk ka asnjë paralele sepse kur unë drejtoja Parlamentin ne nuk kishim kryeministër, që të fuste kriminelë në Parlament. Është e pamundur të rrinë krimi bashkë dhe një njeri normal në një vend. Nga njëra anë mendoj a ia vlen të lë mandatin apo të rri të përballem me kriminelë. Unë mendoj se lufta me krimin është shumë komplekse dhe kërkon sakrifica, sepse krimi është krim gjithmonë.”


Edhe deputeti i majtë, Ben Blushi, ka bërë një koment për situatën në parlament. Ai tha se ka ardhur koha, që PS-ja t’u kërkojë falje shqiptarëve për ndotjen e parlamentit e se shumë njerëz me rekorde kriminale nuk duhet të ishin në Kuvend. Sipas Blushit kjo nuk duhej të ishte një seancë vezësh, por një seancë që të kishte debat.

Article Logic
Execution time: 0.0044300556182861