Kjo e enjte sjell dhe rikthimin e opozitës në Paramentin shqiptar pas rreth 6 muaj bojkot. Në afatet limit opozita rikthehet në Kuvend, duke shpëtuar kështu dhe djegien e mandateve të saj. Edhe pse mes tyre kishte nga ata të cilët mbrojtën idenë e djegies së mandateve, aleatët opozitarë ranë dakord që të rinisin aktivitetin parlamentar ditën kur diskutohet dekreti i Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim buxhetin e vitit 2019.
Ndërkohë hapin e parë për rikthimin zyrtar në Parlament, opozitarët e hodhën në Konferencën e Kryetarëve ditën e martë, ku përfaqësuesit e saj morën pjesë. Konferenca përfshiu në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit reformën zgjedhore. Mazhoranca depozitoi në Kuvend draftin e padakortësuar dhe kërkoi që të miratohet menjëherë në një nga dy seancat e parashikuara, por opozitarët bënë me dije se nuk kanë ndërmend ta votojnë.