INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ora News/ AKEP drejt arbitraritetit për një vendimmarrje të fshehtë, përse ky nxitim nga kryetari Zela? [VIDEO]

Ora News/ AKEP drejt arbitraritetit për një vendimmarrje të fshehtë, përse ky nxitim nga kryetari Zela? [VIDEO]

Publikuar më: 19:36 12-02-2018

Përmes një vendimi të posaçëm, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tenton të favorizojë një prej kompanive telefonike në vend kundrejt dy operatorëve të tjerë. vendimi që pritet të kalojë në 15 shkurt në bordin e AKEP shihet si një përpjekje për të futur duart në sektorin e telekomunikacionit. ndërsa kryetari i AKEP gjendet në konflikt interesi pasi ka punuar më parë në kompaninë Albtelekom.

Qeveria duket se po fut duart në tregun e telefonisë celulare duke cënuar parimet bazë të konkurrencës së lirë.

Po bëhen përpjekje për të favorizuar një operator të caktuar duke i “dhuruar” miliona euro përfitime në kurriz të dy operatorëve të tjerë të telefonisë celulare. Tentativa e dyshimtë dhe e pakonsultuar siç kërkon legjislacioni në fuqi shihet qartë përmes dokumentit që Ora News e zotëron.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kërkon që të diferencohet zbatimi i masës rregulluese të mos-diskriminimit në tarifat me pakicë të thirrjeve on-net/off-net për Albtelecom dhe dy operatorët e tjerë, duke e hequr këtë detyrim për Albtelecom duke filluar nga data 1.04.2018.
AKEP përmes këtij vendimi kërcënon balancën e vendosur në tregun e telefonisë celulare, duke favorizuar kompaninë Albtelecom në të cilin drejtues i AKEP, Ilir Zela, ka punuar për disa vjet.

Këtë vendim, Zela synon ta kalojë në mbledhjne e bordit në datën 15 shkurt, pa transparencë, pa dëgjuar grupet e interesit si dhe në mungesë të plotë të krijimit të barazisë për konkurrencë të ndershme.

Qartazi, AKEP kërkon të diferencojë zbatimin e masës rregulluese të mos diskriminimit në tarifa me pakicë të thirrjeve on- net/ off net për Albtelecom dhe dy operatorët e tjerë Vodafone Albania dhe T- Mobile, të cilët nëse ky vendim miratohet pritet të konsiderojnë daljen nga tregu shqiptar për shkak të klimës armiqësore të institucioneve publike ndaj biznesit.

AKEP e justifikon këtë vendim duke gjykuar se heqja e këtij detyrimi duhet bërë pasi Albtelecom është operatori më i vogël në treg dhe me proporcionin më të madh të thirrjeve off-net se dy operatorët e tjerë dhe me heqjen e detyrimit këtij operatori të vogël në treg i jepet stimuli të ofrojë tarifa konkurruese off net.

Ora News kërkoi shpjegim nga Z. Zela duke i drejtuar disa pyetje si:

Përse është marrë në mënyrë të fshehtë ky vendim pa konsultimet paraprake me operatorët e tjerë siç edhe e kërkon legjislacioni në fuqi?

Si mund të favorizohet një kompani celeluare dhe të diskrimohen të tjera, duke rënë ndesh edhe me legjislacionin europian?

Por, përgjigja e drejtorit të AKEP, Ilir Zela, ishte e shkurtër duke shmangur përgjegjësinë ndaj një situate që po krijohet në këtë sektor.

Zela tha se “AKEP nuk ka asgjë për të komunikuar me publikun në lidhje me këtë proces”.

Vendimarrje të tilla ku nuk respektohet legjilacioni europian, i detyrueshëm për një vend si Shqipëria që kërkon të bëhet anëtar i BE, është një dëshmi tjetër e kapjes së shtetit dhe interesave klienteliste që përmendej në strategjinë e Komisionit Europian.

Largimi i dy gjigandëve të telekomunikacionit botëror do të ishte një lajm i keq jo vetëm për tregun celular dhe konsumatorët por për imazhin e vendit dhe mënyrën sesi trajtohen investitorët e huaj.

Article Logic
Execution time: 0.0038459300994873