INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ornela Canaj rrëfen si fitoi azilin në Amerikë dhe pjesë të dosjes voluminoze, ku shfaqet dhe frika nga Marjan Rroku!

Ornela Canaj rrëfen si fitoi azilin në Amerikë dhe pjesë të dosjes voluminoze, ku shfaqet dhe frika nga Marjan Rroku!

Publikuar më: 12:45 03-03-2016

Motra e Alda Canajt, Ornela, pak pas ekzekutimit në 2001 të nënës dhe motrës 16-vjeçare nga Marjan Rroku, ish - oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror, kërkoi azil politik në SHBA.

Ornela Canaj ka dhënë për autoritetet amerikane versionin e saj edhe lidhur me njohjet me Marjan Rroku, përndjekjet, që ky i fundit i bëri së motrës, Aldës, e deri te vrasja e dyfishtë. raporton "Panorama".

Pjesa e parë e dosjes:

1. Emri im është Ornela Canaj dhe jam lindur më 29 prill të vitit 1980 në Greshicë të rrethit të Mallakastrës në Shqipëri. Unë jam shtetase shqiptare, duke kërkuar strehim politik në Shtetet e bashkuara, bazuar në lidhje fetare, grup shoqëror dhe opinion politik. Unë po aplikoj gjithashtu, për ndalimin e deportimit bazuar në Konventën Kundër Torturave.

2. Në shtator të vitit 1998 u vendosa në Tiranë të Shqipërisë të vazhdoj Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Unë gjithashtu punoja si përkthyese për një gazetar dhe si mësuese e Gjuhës Gjermane. Në shtator të vitit 1999 motra ime e vogël, Alda u vendos në Tiranë të fillonte vitin e parë të shkollës së mesme e jetonim së bashku në fjetoren e qytetit “Studenti”.

3. Nën regjimin komunist në Shqipëri, feja ishte e paligjshme dhe anëtarët e Partisë Socialiste, përgjithësisht nuk besonin në Zot. Sidoqoftë, pas rrëzimit të komunizmit, erdhën shumë misionarë amerikanë protestantë. Unë fillova të ndiqja shërbimet fetare të dielave në shkollë të mesme dhe vazhdova edhe në shkollë të lartë. Pasi motra ime u vendos në Tiranë, ajo shkonte në kishë gjithashtu. Ne, gjithashtu shkonim për të studiuar biblën të enjteve pasdite. Në mars të vitit 2000, një nga shoqet tona na prezantoi neve te një djalë në studimet e Biblës, i quajtur Marjan Rroku. Ai na tha se punonte për një kompani amerikane dhe e pasqyronte veten si fetar dhe demokratik. Isha pak e çuditur, pasi nuk e kisha parë në takimet e Partisë Demokratike. Marjani gjithashtu na prezantoi mua dhe motrën time me dy shokët e tij të punës, Skerdi Ymeri dhe Sulejman Xhetani. Pas disa shoqërimeve të zakonshme në kishë dhe jashtë saj me shokët tanë, unë dhe motra ime filluam ta konsiderojmë si shokë.

4. Unë rrallë e pashë Marjanin jashtë kishës, pasi isha shumë e zënë. Unë shkoja në shkollë dhe punë në të njëjtën kohë. Unë, gjithashtu isha anëtare e Partisë Demokratike. Në shkollë të mesme, politika nuk më ka interesuar, por në shkollë të lartë interesat e mija ndryshuan. Edhe pse babi im merrte pjesë në Partinë Republikane, e cila praktikisht ishte e njëjtë me Partinë Demokratike, unë isha më e tërhequr tek Partia e madhe Demokratike. Kishte një prezencë më të madhe në korpus dhe të gjithë shokët e mi ishin pjesëtarë të saj. Motra ime, gjithashtu, ishte shumë e zënë atë pranverë, duke shkuar në shkollë dhe duke studiuar në bibliotekë. Ajo studionte për Italisht dhe ëndërronte të studionte për Juridik në Itali.Alda ishte shumë studente e mirë dhe e mbaroi vitin e parë me rezultate të shkëlqyera. Atë verë ne e kaluam në Greshicë, ku familja jonë jetonte.

5. Në shtator të 2000 ne u kthyem në Tiranë për shkollë. Alda gjithashtu pati një operacion në atë kohë dhe kaloi dy javë në shtrat. Më 29 tetor të vitit 2000, ajo u bë 16 vjeç. Rreth asaj kohe unë vura re se ajo kishte filluar të bie nga pesha, por ia dedikova operacionit. Më 23 nëntor të vitit 2000, kur u ktheva nga puna, e gjeta motrën time në shtrat me shenja dhe fytyrë të përgjakur. Pamja e saj më tmerronte. E pyeta se çfarë ndodhi dhe në fillim më tha se një i dehur e kishte rrahur. E pyeta nëse ia mbante mend fytyrën, por ajo më tha jo. Unë shkova në policinë e qytetit “Studenti” dhe e raportova incidentin dhe policët më thanë se do të fillonin kërkimin për të dehurin. Kur u ktheva, Alda po qante. E pyeta se si ishte puna dhe ajo më tregoi çdo gjë.

6. Ajo më tha se Marjani i kishte kërkuar asaj që në qershor të vitit 2000 të shkonte në Itali me të dhe të bëhej gruaja e tij. Ajo e kishte marrë me qeshje dhe i kishte thënë se ajo ishte vetëm 15 vjeçe dhe ai ishte 27. Ajo i kishte thënë se s’donte të martohej, por donte të shkonte në Itali vetëm për të studiuar. Alda, gjithashtu ishte vënë në dyshim nga ky propozim, pasi trafikantët e skllaveve të seksit, shpesh u premtonin vajzave shqiptare punë dhe martesë në vendet e huaja dhe pasi vajzat largoheshin nga shtëpia, ata i detyronin të punonin si prostituta.

7. Në mes të tetorit të vitit 2000, Marjani shkoi tek shkolla e Aldës me një dokument identifikimi fals. Dokumenti fals e tregonte atë 16 vjeçe, megjithëse ajo s’i kishte mbushur akoma. Ai i tha asaj se po përgatiste një pasaportë false për Aldën, gjithashtu. Motra ime ishte tronditur shumë dhe i tha atij se ajo i kishte thënë jo propozimit të tij, përpara. Ai ia shtyu dokumentin fals në dorën e saj dhe nxori pistoletën. Ai i tha asaj se gjërat do të bëheshin siç thoshte ai, përndryshe do ta vriste. Ai e kishte kërcënuar atë se po të më thoshte mua rreth situatës, ai do të më vriste mua. Pas këtij konfrontimi, motra ime u frikësua shumë dhe filloi të binte nga pesha.

8. Motra ime, gjithashtu mësoi se Marjani dhe dy shokët e tij, Skerdi Ymeri dhe Sulejman Xhetani, ishin oficerë të shërbimit sekret shqiptar në Shërbimin Informativ Shtetëror (i njohur si SHISH apo SHIK). SHISH-i ishte i ngjashëm me KGB-në në Bashkimin Sovjetik të mëparshëm. Në kundërshtim me çfarë tre djemtë na kishin thënë mua dhe motrës sime, ata ishin anëtarë të Partisë Socialiste dhe trafikantë njerëzish. Ato i kërkonin viktimat e tyre në kishë, pasi mendonin se në qoftë se vajzat e reja u besojnë misionarëve historitë me Zotin dhe Perëndinë ato shumë thjesht do t’u besonin gënjeshtrave të oficerëve të shërbimit sekret. Motra ime ishte ekzakt e profilit që Marjani dhe shokët e tij kërkonin. Ajo shkonte në kishë, ishte e re dhe me paraqitje të mirë dhe s’kishte asnjë vëlla. Në mbështetje, babai ynë ishte kandidat për Partinë Republikane më Mallakastër për parlament dhe unë isha anëtare e Partisë Demokratike.

9. Në nëntor të vitit 2000, Marjani e takoi motrën time në rrugën e saj për në shkollë. Ai i tha asaj se ai mund të bënte çfarë të donte pasi ai ishte “i rëndësishëm” në SHISH dhe nip i shefit. Marjani pretendonte se askush s’bënte asgjë kundër tij. Ai i kishte thënë Aldës se kishte tri ditë të përgatitej të largohej nga Shqipëria.

10. Atë ditë e gjeta duke qarë në dhomën tonë, ishte dita e tretë. Atë pasdite ai kishte ardhur në bibliotekë ku ajo po studionte, por ajo me shumë zhurmë po refuzonte të shkonte me të. Ai i dha saj një patentë shoferi false dhe e shkelmoi pa mëshirë, dhe qëlloi me pistoletë në tavanin e bibliotekës. Pastaj, Marjani e mori motrën time tek apartamenti i tij, me pistoletë dhe një sahat në tavolinë i dha tetë minuta të pranonte të shkonte në Itali. Motra ime ishte tmerruar dhe i tha Marjanit se nevojitej më shumë kohë që të vendoste. Ai e la të largohej, por e kërcënoi se po të më tregonte mua, ai do të më vriste mua. Marjani e këshilloi atë që të thoshte se një i dehur e kishte rrahur.

11. Pasi më tregoi çdo gjë, motra ime ishte shumë e frikësuar, por unë ia mbusha mendjen se ishte e nevojshme që të raportonim në polici abuzimet e Marjanit. Ne shkuam në policinë e qytetit “Studenti” në orën nëntë të darkës, por polici i shërbimit na tha të ktheheshim të nesërmen dhe të raportonim. Të nesërmen në mëngjes unë dhe motra ime, të shoqëruara nga policja e qytetit “Studenti” e quajtur V, shkuam te stacioni i policisë që të raportonim kërcënimet e Marjanit. Unë dhe motra ime plotësuam një raport me oficerin kryesor me detyrën e raporteve I.H. Oficeri I.H na siguroi ne se policia do ta arrestonte Marjanin, pasi ishin bërë shumë prova kundër tij. Marjani, gjithashtu kishte kryer disa krime në ndjekje të motrës sime, duke përfshirë dhunë ndaj të miturit, përdorje e armës në ambiente publike, falsifikim dokumentesh dhe përpjekje për trafikim njerëzish.

12. Pasi i dhamë raportin dhe evidencat oficer Hoxhës, një police na shoqëroi ne te spitali “Nënë Tereza” në Tiranë për një ekzaminim të motrës sime. Në Shqipëri një mjek ligjor dhe jo doktor i shkruan raportet për rrahjet fizike. Mjeku ligjor shkroi një raport që thoshte se motra ime ka përjetuar trauma në fytyrë dhe trup. Ai e çoi raportin te stacioni i policisë të përfshihej në raportin, që kishim plotësuar përpara atë ditë.

Article Logic
Execution time: 0.0037651062011719