Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Sh.A) përfundoi instalimin dhe vendosjen në punë të n/stacionit mobile në zonën e Borshit, me kapacitet transmetimi 35/10/6 kV.
Drejtori i Drejtorisë së Tensionit të Lartë sqaron se, “montimi i n/st i shërben rritjes së sigurisë të furnizimit me energji elektrike të zonave Borsh dhe Qeparo, në kuadër të planit të masave dhe gatishmërisë që OSHEE ka vendosur për sezonin turistik”.
Investimi për përdorimin e n/stacioneve mobile (të lëvizshëm/portativ), risi e dy viteve të fundit, i krijoi OSHEE-së mundësi manovrimi të shpejtë në mirë menaxhimin e rrjetit shpërndarës në pika strategjike të vendit.
Pas përfundimit të n/stacioneve Himarë dhe Dhërmi, është duke u punuar për ndërtimin e dy të tjerëve, në Orikum të Vlorës dhe në Gjirin e Lalzit, Durrës.
Në planin afatmesëm të investimeve të OSHEE është ndërtimi i n/st Shëngjin dhe Velipojë, me vlerë 1 miliard lekë, duke siguruar kështu, infrastrukturën e nevojshme të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike për zonat bregdetare.