INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pagesa për Rrugën e Kombit. S’ka shtyrje, nis në datën 17 shtator

Pagesa për Rrugën e Kombit. S’ka shtyrje, nis në datën 17 shtator

Publikuar më: 08:20 01-09-2018

Duke filluar nga 17 shtatori, në përfundim të sezonit të sivjetëm turistik veror, të gjitha makinat që do të kalojnë në tunelin e Kalimashit do të paguajnë tarifë. Kjo është konfirmuar edhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të paketës lehtësuese për qytetarët dhe bizneset që e përdorin shpesh këtë rrugë. Ndryshe nga hera e parë, tani është përpunuar një paketë lehtësish për ata që e përdorin më shumë rrugën. Do të jetë një pajisje e posaçme telepass, e cila do të mundësojë tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla.
Paketa përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjitha automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve.
Ndërkohë, lidhur me linjat e transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga Kukësi dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin si më poshtë:
Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, zbritja është 30%
Mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.
Tarifat bazë janë për motorrin 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro.
Sipas studimit të institucionit ndërkombëtar që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës mars 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5.000 automjete në ditë në segmentin e Rrugës së Kombit. Supozohet se, me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të ulet.

Article Logic
Execution time: 0.0037360191345215