INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjykata konfirmon

Gjykata konfirmon "po" janë bërë përgjime, pezullohet Drejtori i Policisë Haki Çako

Publikuar më: 10:49 07-06-2016

Furtunë në radhët e policisë së Shtetit, pasi opozita hodhi dyshime mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi. Mësohet se me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Pezullimi i Haki Çakos, sipas organit të akuzës u bë për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.
Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi” me mbikqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Organi i akuzës po heton për të provuar nëse në këtë ngjarje janë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.
Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal, në kuadër të cilave ka kryer një sërë veprimesh hetimore.
Njoftimii Prokurorisë:
“Shtetasi Haki Çako, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Article Logic
Execution time: 0.0037379264831543