Vetëm pak para nisjes së protestës, qytetarë të shumtë janë nisur nga rrethe të ndryshme të vendit, nga veriu në jug.
Kështu raportohet se nga qarku Dibër janë nisur drejt Tiranës rreth 2500 persona e po kaq edhe nga Shkodra. Ndërkaq nga Gjirokastra mësohet se janë nisur 4 autobusë me rreth 400 persona pa llogaritur mjetet private. Nga Saranda rreth 200 persona dhe 100 nga Delvina.
Nga Korça janë nisur rreth 2100 protestues të PD dhe 700 nga LSI. Rreth 2000 protestues janë nisur edhe nga Lezha. Raportimet nga Fieri flasin për rreth 3000 simpatizantë dhe qytetarë fierakë që janë nisur drejt Tiranës në protesetë. Ne dispozicion janë 25 autobusë në të gjithë bashkinë e Fierit, përfshirë njësitë administrative. Mësohet se do të ketë nisje nga disa pika si dhe nisje me mjete private.
Gazetari Fatmir Popja raportoi se nga Elbasani janë 2000 protestues që do të marrin pjesë në protestë. Ndërkaq gazetarja Eneida Petova tha për “BalkanWeb” se nga Berati do të nisen rreth 1100 protestues të PD-së dhe 500 të LSI-së. Po një numër prej 2000 vetësh janë nisur edhe nga Vlora sipas gazetarit Enrik Mehmeti. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi se nga Durrësi do të nisen rreth 2500 protestues.
Protesta ka mbledhur të gjitha partitë opozitare parlamentare, të cilat prej ditësh iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mblidhen në Tiranë për të protestuar kundër situatës në vend dhe qeverisë.