INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Paketa e re fiskale ndryshon taksën e makinave, ja gjobat që falen...

Paketa e re fiskale ndryshon taksën e makinave, ja gjobat që falen...

Publikuar më: 13:13 05-11-2016

Paketa e ardhshme fiskale do të sjellë uljen e akcizës së duhanit të grirë, nuk do të ketë rritje të akcizës së cigareve, vendosjen e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat, uljen e rentës minerale dhe ndryshimin e çmimit për taksimin e makinave të luksit.

Detajet e kësaj pakete  u njoftuan dje nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Kreu i Financave informoi edhe për përfshirjen për herë të parë në skemën e rimbursimit të barnave të 600 mijë

qytetarëve. Ahmetaj tha se nuk do të ketë taksë të re për shtëpitë, por vetëm ndryshim të formulës të rillogaritjes për miradministrimin e të ardhurave.

Gazi

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria do të aplikojë akcizë edhe mbi gazin e lëngshëm të makinave.

Me paketën e re fiskale llogaritet që akciza që do të vendoset për gazin e lëngshëm vetëm për automjetet do të jetë 10 deri në 12 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit

dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik. Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 100 mijë tonë në vit. Ndërsa sipas ministrit të Financave do të ulet akciza për duhanin e grirë të brendshëm dhe nuk do të rritet akciza e cigareve.

Makinat

Me paketën e re fiskale do të ndryshojnë taksat për makinat e luksit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi se do të ulet niveli i çmimit të makinave që konsiderohen si makina luksi, nga 7 milionë lekë që është aktualisht, në 5 milionë lekë. E thënë ndryshe, nëse taksa për makinat e luksit paguhet për ato makina që kanë një  kapacitet motorik prej 3 mijë kubikësh dhe me çmim 7 milionë lekë, 3000 cc dhe me vlerë mbi 5 mijë lekë.

Ilaçet

Shtohet numri i qytetarëve që do të përfitojnë nga skema e ilaçeve të rimbursueshme. Ministri Ahmetaj informoi se numri i përfituesve për barnat e rimbursueshme do të rritet me 600 mijë përfitues të rinj. “Buxheti i vitit 2017 merr përsipër të rimbursojë listën e aprovuar të ilaçeve të rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Deri dje kjo ka qenë e kategorizuar, ku përfitues ishin pensionistët apo shtresa të tjera në nevojë. Me këtë politikë të re, 600 mijë shqiptarë të mbetur jashtë futen brenda skemës për të përfituar rimbursimin e ilaçeve brenda listës së aprovuar”, tha Ahmetaj.

Taksa e pronës

Nuk do të ketë ndryshim për taksën e shtëpive. Ministri i Financave, Ahmetaj, sqaroi se do të forcohen instrumentet për miradministrimin e kësaj takse, ndërsa niveli i taksimit do të vazhdojë të mbetet i njëjtë. “Taksa e pronës nuk ka filluar, ka një jetë që është atje, por është më e ulëta e mbledhur. Ne duam të forcojmë instrumentet e taksave, duke filluar një proces të kadastrës fiskale. Është e papranueshme që qytete si Tirana, Korça, Durrësi mos ta kenë zgjidhur këtë problem. Ne do të krijojmë 4 projekte pilote, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, për të bërë hapin e parë të kadastrës fiskale të vlerës dhe pastaj instrumenti mbledhës të funksionojë me kuadrin aktual të legjislacionit për taksën e pronës të funksionojë për të rritur të ardhurat”, tha Ahmetaj.

Falja e gjobave

Për ligjin e faljes, Ahmetaj përsëriti se për periudhën nga 1 janari 2011 deri në dhjetor të 2014­-s do të përfitojnë falje të gjobave ato biznese që paguajnë detyrimet. “Jemi në proceset përfundimtare të konsultimit me FMN-­në për draftligjin. Unë ju kam ritheksuar dhe e theksoj prapë se nuk do të ketë falje borxhi për sa i përket periudhës 1 janar 2011 deri 31 dhjetor 2014, por do të ketë një lehtësim; kush paguan detyrimin, i falet gjoba. Të vetmet gjoba që do të falen janë ato që ka premtuar me të drejtë qeveria, që kanë të bëjnë me gjenerimin nga sistemi i tatimeve në muajin qershor për punëmarrësit”, tha Ahmetaj.

Article Logic
Execution time: 0.0039308071136475