INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pakica shqiptare në Preshevë. Meta: Problemet zgjidhen me dialog

Pakica shqiptare në Preshevë. Meta: Problemet zgjidhen me dialog

Publikuar më: 15:19 01-08-2017

Problemet e pakicës shqiptare të vendosur në Luginën e Preshevës ishin ne qendër të bisedimeve në takimin mes Presidenti Ilir Meta dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu. Për kreun e shtetit shqiptar rruga e zgjidhjes së problematikave të pakicës shqiptare duhet të realizohet në bashkëpunim me institucionet shtetërore të Serbisë. Sipas n njoftimit të shpërndarë për mediat thuhet se gjatë takimit Presidenti Meta dhe zoti Musliu ndanë pikëpamje të njëjta se shqiptarët e Luginës duhet të konsiderohen si ura lidhëse mes popujve.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim kortezie Kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar të Luginës së Preshevës, njëkohësisht dhe Kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanovcit, zotin Jonuz Musliu.
Presidenti shprehu kënaqësinë për këtë takim të parë në këtë post me përfaqësues të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Luginën e Preshevës, si dhe vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm, institucional, shtetëror e personal ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Luginës.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që përfaqësuesit politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës të jenë edhe më bashkëpunues për interesat e tyre kombëtare dhe mirëqenien e shqiptarëve në Luginë.
Presidenti vuri në dukje mbështetjen maksimale ndaj trajtimit të këtyre kërkesave në përputhje me standardet më të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike për pakicat, si dhe nënvizoi se zgjidhja e tyre duhet të realizohet në bashkëpunim me institucionet shtetërore të Serbisë.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore. Kjo gjë do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës, sidomos në arsim, punësim, infrastrukturë dhe shërbime ndaj qytetarëve.
Presidenti Meta theksoi se një pjesëmarrje më aktive e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, si dhe një bashkëpunim më efikas i faktorëve politikë do të rriste ndjeshëm shkallën e përfaqësimit të shqiptarëve në të gjitha institucionet vendore dhe qendrore.
Presidenti Meta dhe zoti Musliu ndanë pikëpamje të njëjta se shqiptarët e Luginës duhet të konsiderohen si ura lidhëse mes popujve, ndaj dhe respektimi i të drejtave të tyre pasuron e zhvillon marrëdhëniet midis dy vendeve të rajonit.
Zoti Musliu, në emër të Këshillit Nacional Shqiptar, i uroi zotit Meta suksese në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

Article Logic
Execution time: 0.0020051002502441