INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pako me ushqime për familjet në nevojë, Veliaj: Fryma e solidaritetit të vazhdojë gjatë gjithë vitit

Pako me ushqime për familjet në nevojë, Veliaj: Fryma e solidaritetit të vazhdojë gjatë gjithë vitit

Publikuar më: 13:22 29-12-2017

Tryeza e mbrëmjes së Vitit të Ri do të jetë plot me ushqime edhe për ato familje, të cilat ndodhen në vështirësi ekonomike. Bashkia e Tiranës iu është gjendur pranë familjeve në nevojë, duke shpërndarë këto ditë pako ushqimore dhe dhurata për fëmijët me rastin e festës së ndërrimit të viteve. Në shpërndarjen e dhuratave në Njësinë Administrative në Bërzhitë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se solidariteti i treguar në këto ditë festash duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit, për të ndihmuar këdo që ka nëvojë për mbështetje në çaste të vështira.

“I falenderoj të gjithë bamirësit që, jo vetëm këtu në Bërzhitë, por në të gjithë territorin e Tiranës, i kanë dalë në krah Bashkisë, duke marrë listat e familjeve në nevojë dhe ashtu si sot, po shpërndajnë paketa ushqimore dhe dhurata për fëmijët. Një solidaritet të tillë e kemi pasur në çdo cep të Tiranës. Do të doja që kjo nismë të vazhdonte gjatë gjithë vitit. Kush ka dy, një mund ta falë, kush ka mundësi për një vakt për Vitin e Ri, një mund ta dhurojë. Kush ka sot një shans më shumë se një tjetër, të ndihmojë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, por edhe bizneseve të ndryshme që në këto ditë festash të dhurojnë ndihma. Veliaj shprehu bindjen se një qytet në zhvillim, si Tirana, ka të gjitha mundësitë për të qenë më solidar me ata që janë në vështirësi.

“Në këto ditë kemi nevojë për solidaritet. Unë e di se ky është një qytet me shumë banorë, sa vjen e rritet me njerëz që vijnë nga të gjitha cepat e Shqipërisë dhe sigurisht gjithmonë do të ketë probleme për njerëzit në nevojë. Por, gjithashtu besoj se një qytet që ka 1 milion banorë, që prodhon gjysmën e ekonomisë së vendit, duhet të ketë mundësi që të ketë edhe gjysmën e bamirësisë dhe gjysmën e solidaritetit të vendit. Dua të ftoj të gjithë ata anëtarë të komunitetit që i kanë këto mundësi ta bëjnë këtë punë në çdo kohë të vitit”, tha ai.

Një mesazh të veçantë kreu i Bashkisë së Tiranës e dha për ata që kanë një të moshuar në komunitetin ku jetojnë. Nisur nga përvoja pozitive një vit më parë gjatë situatës së emergjencave si pasojë e temperaturave tepër të ulëtave, Veliaj kërkoi një përkujdesje më të madhe ndaj moshës së tretë.

“Ka shumë të moshuar që i kanë fëmijët në emigracion, që ndoshta kanë harruar t’i telefonojnë, të interesohen. Mbaj mend në fillim të vitit vjet, kur filloi ngrica e madhe, një nga problemet kryesore që patëm ishin të moshuarit që jetonin vetëm. Njerëzillëku duhet ta karakterizojë një qytet, siç e karakterizon një familje. Teknologjia bën punën e saj, celulari, infrastruktura bëjnë punën e tyre, por asnjë nuk e zëvendëson njerëzillëkun, që secili duhet të ketë brenda vetes”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0037941932678223