Ishulli Lombok i Indonezisë i shkatërruar nga dy tërmete të fuqishme në javët e fundit është goditur sërish nga një dridhje e tretë. Pas tërmetit të fuqishëm të regjistruar ditën e diel nga i cili humbën jetën 347 persona, lëkundja tjetër e fuqishme ka shkatërruar ndërtesat e dëmtuara. Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6,2 goditi Lombokun ndërsa ekipet e shpëtimit kërkonin nëpër rrënojat duke kërkuar më shumë trupa pasi fatkeqësia e së dielës vrau të paktën 347 vetë dhe e vendosi ishullin në prag të një krize humanitare.
Tërmeti i fundit shkaktoi trauma të mëtejshme për ata që humbën të dashurit ose shtëpitë e tyre në fatkeqësinë e mëparshme, pasi njerëzit e tmerruar u vërsulën në rrugë duke u frikësuar se shtëpitë e tyre do të bien duke i zënë brenda. Më shumë se 13,000 shtëpi u shembën ose u dëmtuan rëndë gjatë fundjavës dhe shumë prej atyre që ishin ende në këmbë u tronditën nga lëkundja e ditës së enjtes. Më shumë se 20,000 njerëz janë zhvendosur dhe një krizë humanitare është duke u shfaqur, pasi ata kanë nevoja të dëshpëruara për ujë të pijshëm, ushqim, mjekim dhe strehim.
Njerëzit kanë jetuar në tenda pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar ose dëmtuar aq keq sa që nuk janë të sigurta për të jetuar. Shumë të mbijetuar nuk kanë asnjë vend për të jetuar, duke përfshirë fëmijët dhe të moshuarit. Ata janë ankuar se ndihmat nuk po mbërrijnë në kohën e duhur dhe se shpërndarja e tyre ka qenë e ngadaltë. Zyrtarët indonezianë kanë për detyrë tu ofrojnë ndihmë dhjetëra mijëra njerëzve, duke evakuuar mijëra turistë dhe duke kërkuar për trupa në mijëra ndërtesa të rrafshuara ose të dëmtuara.