INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Panucci: Duam të bëjmë historinë ndaj Spanjës, japim maksimumin

Panucci: Duam të bëjmë historinë ndaj Spanjës, japim maksimumin

Publikuar më: 19:01 05-10-2017

Christian Panucci u kthye në Spanjë, ku për dy sezone e gjysmë mbrojti ngjyrat e Realit të Madridit, duke fituar një titull kampion dhe trofeun e Champions. Këtë herë u paraqit si trajner i Shqipërisë, por në konferencën zyrtare për shtyp preferoi të flasë në spanjisht. Një mënyrë për t’ua bërë më të qartë vendasve se Kombëtarja kuqezi do të jetë serioze dhe do të provojë ti krijojë vështirësi një prej skuadrave më të mira në botë, shkruan supersport.al

Christian Panucci

Pres që të bëjmë një ndeshje serioze, jo që të jemi viktimë. Kemi shumë respekt për Spanjën, sepse është një ekip i madh. Do të tentojmë të bëjmë më të mirën që ti vendosim në vështirësi. 20 vjet më parë luajta në këtë stadiumin me Realin. Ndryshimi i vetëm është që në atë kohë fjeta më tepër përpara ndeshjes. Për mua më të rëndësishëm janë futbollistët, që ata të japin më të mirën. Nuk kam asnjë emocion të veçantë, por ndjej përgjegjësi që do të luajmë një ndeshje të rëndësishme. Do të provojmë të bëjmë gjëra serioze, të jemi të përqendruar për 95 minuta, sepse edhe nëse e ulim shpërqendrimin për një minutë, përballë një ekipi si Spanja mund të ndëshkohesh.

Shkalla e vështirësisë përballë Spanjës është më e larta, por Panuçi nuk niset i dorëzuar. Trajneri nuk është i demoralizuar as nga mungesat e Mavrajt, Kukelit dhe Roshit, përkundrazi kërkon nga skuadra angazhim maksimal.

Christian Panucci

Kemi tre lojtarë shumë të rëndësishëm të pezulluar por, kam futbollistë të tjerë cilësorë që mund ti zëvendësojnë. Do të luajmë me tre mesfushorë. Ne do të tentojmë të marrim maksimumin e mundshëm. Këtë ndeshje e ndjek e gjithë bota. Nëse nuk ka angazhim maksimal në një duel kaq të madh, ndoshta më mirë të ndryshosh profesion. Do të provojmë të luajmë me kurajë, por kjo nuk varet vetëm nga ne. Spanja është një skuadër që nuk të lejon të luash, sepse ka shumë kualitet dhe gjithë kohën e mban topin. Ne do të provojmë të kundërsulmojmë dhe luajmë me kurajo.

Trajneri kuqezi nuk beson se problematikat e Spanjës, nga referendumi në Katalonjë, te kontestimet e tifozëve ndaj Pique do të ndikojnë, ndërsa i përgjigjet qartë spekulimeve se prej origjinës do ta shtyjë Shqipërinë të luajë për të ndihmuar “të kaltërit”.

Christian Panucci

Nuk më intereson të përfshihem në çështjet politike. Nuk dua të hyj në jetën personale, sepse gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë. Pique ka personalitet, është një lojtar i nivelit shumë të lart dhe di ti menaxhojë këto situata. Besoj që kjo nuk do ta shqetësojë. Ne shpresojmë që ndoshta Spanja të jetë ndikuar nga kjo situatë, por nuk e besoj të ndodhë vërtetë. Rezultat për Italinë? Dua që lojtarët e mi të kalojnë një mbrëmje të bukur dhe të paharrueshme. Kjo mund të jetë një ndeshje historike për ekipin tonë. Nuk më intereson asgjë tjetër përveç asaj që bëjnë lojtarët të mi. Ky është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë.

Article Logic
Execution time: 0.0037209987640381