Papa Françesku paralajmëron se vala e fundit e sulmeve xhihadiste në Europë tregon se bota është në luftë. “Bota është në luftë pasi ajo e ka humbur paqen e saj. Kur them luftë i referohem luftës për interesa, para e resurse, jo besimit. Të gjitha fetë duan paqe, janë të tjerët që duan luftë”, tha Ati i Shenjtë.
Kreu i Selisë së Shenjtë i bëri këto komente në prag të vizitës së tij në Poloni me rastin e ditës botërore të rinisë, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me vrasjen e priftit katolik nga xhihadistë francezë të martën.
Ndërkohë i ashtuquajturi Shteti Islami publikoi një video që tregon dy autorët e vrasjes së priftit francez, teksa i shpallin besnikërinë e tyre grupit. Agresorët flasin në gjuhën arabe dhe i referohen liderit të ISIS-t, Abu Bakr Al Bagdadti.
Më herët u bë e ditur se ata mbaheshin nën vëzhgim nga policia për radikalizëm të mundshëm, madje njëri prej tyre kishte të lidhur në kyçin e këmbës një pajisje përgjimi edhe gjatë kohës së sulmit.
Ky zbulim shtoi edhe më shumë presionin ndaj reagimit të qeverisë socialiste përballë valës së sulmeve të marra përsipër nga ISIS, që prej fillimit të 2015-s.