Ashtu sikurse ishte lajmëruar edhe më herët, Papa Francesku ka konfirmuar vizitën e tij në ishullin grek Lesbos ditën e shtunë ku do të takohet me emigrantët e bllokuar tashmë prej muajsh.
Lajmin e njoftoi vetë kreu i kishës katolike gjatë fjalës së mbajtur në sheshin ‘Shën Pjetri’. ‘Do të vizitoj refugjatët për të shprehur solidaritet për ta, për banorët e ishullit, por dhe për popullin grek’, tha Ati i Shenjtë.
Në këtë vizitë, Papa do të shoqërohet edhe nga arqipeshkvi i Athinës, Ieronymos.
Të martën në mbrëmje rreth 500 refugjatë u deportuan nga ishulli i Lesbos në Turqi, në bazë të marrëveshjes së BE me Turqinë. Aktualisht në portin e Pireut ndodhen 3800 refugjatë.
Sipas marrëveshjes mes BE-së dhe Ankarasë të gjithë refugjatët ilegalë të bllokuar në kampet e Idomentit do të kthehen drejt Turqisë.