Para qindra mijëra njerëzve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në meshën e drejtuar nga Papa Françesku, Nënë Tereza, u shpall zyrtarisht e shenjtë, nga Kisha Romano Katolike, dhe nga sot e tutje, do të thirret si Shën Tereza. Një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve.
Qindra flamuj të Shqipërisë, të Kosovës, të Indisë ku ajo kreu veprimtarinë e saj më të rëndësishme të bamirësisë në Kalkutë, si edhe flamuj nga të gjitha vendet e botës u bënë njësh në nder të Shën Terezës.
Ceremonia u transmetua drejtpërdrejtë në kanalin zyrtar në Youtube të Vatikanit, ku në komente vërshuan lutjet për shenjtin e ri të Kishës Katolike.