Teksa të gjithë prisnim që situata në vendin tonë të përmirësohej, këtë të hënë bilanci nga COVID-19 është thelluar, duke hedhur poshtë edhe pritshmëritë e mjekëve.
Numri i të infektuarve ka shkuar në 467, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 21 raste të reja, teksa disa minuta më parë ndërroi jetë edhe një 45-vjeçar nga Shkodra, duke e çuar në 24 numrin e viktimave.
Mjeku Pëllumb Pipero, i cili javën që lamë pas u shpreh shumë optimist, sot deklaroi se diçka ka çaluar që numri i të infektuarve me COVID-19, po shkon drejt rritjes.
Në një lidhje me Skype në News 24, Pipero u shpreh se në Shkodër mund të mos jetë bërë monitorimi i rasteve ose nuk janë zbatuar masat e vëna.
“Në fundjavë ka pasur një rritje, thuajse dyfish dhe them se diçka ka çaluar. Kjo epidemi ka disa indikatorë, në radhë të parë monstrat për të bërë analizat apo gjurmimin e rasteve të kontaktit, respektimin e masave nga qytetarët për të respektuar distancimin social, karantinimin dhe këshillat e mjekëve. Diku besoj unë se shifrat që lamë pas janë 30- 40 raste më pak se një javë por diku ka çaluar. Nëse shohim rastet në Shkodër, 13 nga dita e djeshme dëshmon se në Shkodër nuk janë respektuar masat ose nuk janë gjurmuar rastet e kontaktit. Unë e kam thënë që java që sapo mbyllëm do të jetë në numër shumë më të vogël, mund të ketë deviacione. Por, bazuar në përhapjen e pandemisë në vendet e tjera s’e prisja këtë. Mendoj se diçka ka çaluar. Duhet të analizohet pse. Si mund ta bëjmë më mirë dhe për të monitoruar që të gjurmojmë më shpejt dhe të monitorojmë në tërësi përhapjen e kësaj pandemie në vendin tonë,”- tha Pipero.
Mirëpo, nga ana tjetër qeveria ka zgjatur kohën për qytetarët, të cilët duke nisur nga ora 05:00 deri në 17:30 kanë 90 minuta kohë për të bërë pazaret, ndërkohë që fundjava do të jetë e mbyllur nga e premtja deri të dielën.
Nga sot policia ka lëshuar dronë inteligjentë për të siguruar dhe monitoruar lëvizjen e qytetarëve./gazetareforma