Parashkimet e motit nuk janë optimiste. Ditët me diell po largohen sërisht dhe shiu i rrëmbyer që nisi mesditën e së mërkurës do të jetë prezent dhe të enjte. Për këtë arsye Bashkia e Tiranës ka lajmëruar se rreshjet e dendura të shiut do të shkojnë në nivele të larta aq sa mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.
Bashkia e Tiranës ka ngritur dhe shtabin e emergjencës duke ndarë e detyra për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës.
Drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative, Admir Abrija, ka theksuar se si rrjedhojë e parashikimeve për reshje të dendura shiu nga qendra rajonale e sinoptikës, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente, që mund të krijohet.
“Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve që, gjatë ditës së enjte, kryesisht paradite deri pasdreke, të shmangin qarkullimin me automjetet e tyre private, si dhe të përpiqen të përdorin transportin publik për të udhëtuar nga një destinacion në tjetrin. I bëhet thirrje dhe të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në zona rurale të saj, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri”- shtoi Abrija.
Në raste emergjencash, çdo qytetar mund të kërkojë ndihmë përmes numrave të telefonit, 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 128 ose administratorin e njësive administrative.