Planet e qeverisë greke për një valë të re masash shtrënguese gjatë periudhës së verës, kanë shkaktuar revoltë tek klasa punëtore që organizoi sot një grevë mbarëkombëtare. Greqia është zhytur në një krizë borxhesh që nga viti 2009 dhe ndodhet në prag të përfundimit të paketës së tretë ndërkombëtare të shpëtimit. Protesta paralizoi edhe doganat, të cilat kishin lajmëruar dhe më herët bllokimin e punës për 24 orë. Në të tre pikat kufitare tokësore me Shqipërinë Kakavie, Kapshticë dhe Tri Urat, puna u pezullua duke lejuar vetëm urgjencat. Ndërkohë edhe transporti ajror e detar u paralizua. Të udhëhequr nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, punëtorët protestuan kundër masave të ashpra të kursimit si dhe shtrëngimet e reja ekonomike që priten të fillojnë këtë verë, pasi të skadojë paketa e tretë ndërkombëtare e shpëtimit të vendit.
Protestës të punëtorëve në Athinë, ju bashkuan dhe pensionistë e studentë, ndërkohë edhe gazetarët braktisën punën për të qenë pjesë e grevës.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimësinë e protestave, kundër masave të ashpra shtrënguese të ndërmarra nga qeveritë e njëpasnjëshme që pas shpalljes së falimentit të vendit në 2009. Prej atij viti, Greqia ka marrë 260 milionë euro në kredi shpëtimi në këmbim të zbatimit të masave shtrënguese, si shkurtim i sektorit publik, rritja e taksave dhe ulja e pensioneve. Qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras ka premtuar nisjen e bisedimeve për rritjen e pagave në periudhën pas daljes nga kriza.