INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Paralizohet” Greqia. Punonjësit e sektorit publik e privat grevë 24 orëshe

“Paralizohet” Greqia. Punonjësit e sektorit publik e privat grevë 24 orëshe

Publikuar më: 11:30 14-12-2017

Greqia do të paralizohet të enjten nga një grevë 24 orëshe, që pritet të sjellë probleme në sektorin e transportit publik, por edhe sektorët shtetërore dhe privat. Greva parashikohet se do të jetë një nga më masivet e viteve të fundit. Ajo organizohet nga konfederata e përgjithshme sindikale e punonjësve grekë dhe unioni sindikal i sektorit publik, kundër buxhetit të vitit 2018, që është paraqitur në parlament për diskutim e më pas miratim me votat vetëm të maxhorancës. Punëtorët do të përballen me një ditë të vështirë për shkak të shërbimeve të kufizuara në transportin publik. Linjat e metros, tramvajit dhe autobusëve në Athinë do të jenë të kufizuar ndërkohë që drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të shmangin kalimin në qendër të Athinës ku sindikatat do të zhvillojnë protesta. Nuk do të ketë shërbime në rrjetin hekurudhor kombëtar ose në hekurudhën suburbane të kryeqytetit, stafi i të cilit do të bashkohet me grevën 24-orëshe dhe si rezultat nuk do të ketë lidhje hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës. Një ndalim katër orësh lajmëruan kontrollorët grekë të trafikut ajror do të thotë që një numër fluturimesh brenda vendit nga ora 8 deri në mesditë do të anulohen ose vonohen. Po ashtu federata e punonjësve të transportit detar do t’i mbajë anijet dhe tragetet të ankoruara në portet e vendit. Sektori i shëndetësisë do të punojë vetëm me personel sigurie, çka do të thotë se do të trajtohen vetëm rastet emergjente. Në grevë janë përfshirë edhe arsimtarët dhe pedagogët, por edhe punonjësit në sektorin e medias.

Article Logic
Execution time: 0.0036780834197998