Arabia Saudite ka mundur të parandalojë një akt terrorist ndaj Xhamisë së Madhe në Mekë – vendin e shenjtë të islamit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, një kamikaz hodhi veten në erë kur forcat e sigurisë rrethuan godinën në të cilën ai ndodhej.
Godina u shkatërrua, duke plagosur 11 persona, përfshi këtu edhe oficerë të policisë. 5 militantë të tjerë të dyshuar, ndërkohë, janë çuar në paraburgim sipas zyrtarëve.
Miliona muslimanë nga e gjitha bota janë mbledhur në Mekë për përfundimin e muajit të Ramazanit. Sakaq, zyrtarët sauditë nuk kanë dhënë më të tjera detaje mbi këtë sulm të parandaluar.
Arabia Saudite është tronditur në vitet e fundit nga një seri sulmesh vdekjeprurëse, shumica e të cilave janë marrë nën autorësi nga i ashtuquajturi Shteti Islamik. Pakica shiite dhe forcat e sigurisë kanë qenë në shënjestër të pjesës më të madhe të sulmeve.
Në korrikun e vitit të kaluar, 4 oficerë të sigurisë u vranë në një sulm kamikaz pranë Xhamisë së Profetit në Medinë. Arabia Saudite është anëtare e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që lufton kundës ISIS dhe grupeve të tjera xhihadiste në Siri dhe Irak.