Më shumë se dhjetë vjet më parë mbërriti në Shqipëri në kulmin e importit të futbollistëve nigerianë në vendin tonë. Ambruzio Ohedivo ishte një prej shumë nigerianëve që nisi një aventurë të re, gjithmonë me synimin për të kaluar më pas në ndonjë kampionat tjetër në Europë.
Një dekadë më pas, jeta e tij ka ndryshuar plotësisht, shumë ndryshe nga sa e kishte imagjinuar. I tërhequr nga futbolli i luajtur prej tri vitesh, i martuar dhe një baba i një vajze të quajtur Xhenifer. Ambruzio është shndërruar prej vitesh në një qytetar normal të Mamurrasit.
Vuajtjet
Nigeriani, që luajti me disa ekipe në Shqipëri si Burreli, Kastrioti dhe në fund Mamurrasi, ka kaluar një jetë me shumë vuajtje në vendin tonë. Tri vite më parë u shkëput nga futbolli i luajtur për arsye financiare. Jetonte në një barakë së bashku me bashkëshorten shqiptare dhe vajzën e vogël.
Pa kushte optimale dhe gati pa të ardhurat e mjaftueshme për të siguruar jetesën normale të fëmijës dhe familjes. Ndonjë banor i Mamurrasit i siguronte ndonjëherë punë në ara bujqësore, por kjo ishte e pamjaftueshme për nigerianin. Megjithatë, tri vite më pas, jeta e tij ka ndryshuar plotësisht dhe duket se ka vendosur t’i rikthehet futbollit, por tashmë në rolin e menaxherit.