INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Parlament - Të majtë e të djathtë replika, akuza dhe ironi kur flitet për Byronë e Hetimit!

Parlament - Të majtë e të djathtë replika, akuza dhe ironi kur flitet për Byronë e Hetimit!

Publikuar më: 13:23 04-02-2016

Debati në parlament nisi me Reformën në Drejtësi dhe për një nga hallkat e saj më të debatuara, Byronë e Hetimit. Deputetja e PS, Ermonela Felaj ka debatuar me opozitarin, Edi Paloka, i cili ngriti akuza se këtë strukturë donte ta merrte në dorë kryeministri Rama, madje bëri dhe ironi me Felaj për faktin se ishte apo jo e informuar.

Ja fjala e Palokës:

“Meqënëse ministres nuk ju duka i qartë, më vjen mirë për atë, që qenka qartësuar sepse në Konferencë të Kryetarëve bëri të paditurën. Ne nuk kemi qenë kundër Byrosë, përkundrazi Kryeminstri juaj e donte këtë organizëm ta kishte nën vete, dhe jo ta përdorte në luftën kundër korrupsionit, por për të mbrojtur luftën e korrupsionit. Nuk ka shqiptar nga më i fundit, që nuk e di këtë. Ne këtë kemi kundërshtuar dhe Gjykata Kushtetuese  na dha të drejtë.
Kreu i Kuvendit, Meta ndërhyu dhe tha se të djathtëve se mund të dërgojnë dhe varjanin e tyre për Byronë e Hetimit e s’kush nuk i pengon.

E pas kësaj ndërhyrje kërkoi fjalën Minisitri i Brendshëm, Samir Tahiri, ku i kujtoi të djathtëve të akuzuarit e qeverisë së mëparëshme Berisha. Ai kërkoi qëndrimin zyrtar të PD për ish Minsitrin, Spiro Ksera dhe për kreun e Bashkisë Kamëz, Mziu.

Ja çfarë tha Tahiri:

“I dëgjova deri edhe premtimet tuaja se do të hidheni në protesta për respektimin e statusit të PS-së, edhe për programin tonë qeverisë, por qytetarët kanë edhe sy, veshë dhe mendje për të kuptuar se lufta kundër korrupsionit është angazhim. Na thoni më parë se çfarë qëndrimi keni, zyrtarisht për ish-ministrin tuaj të arrestuar. Po për kryetarin e Bashkisë së Kamzës të arrestuar, që ju i shkoni në qeli?! Po për kryetarin e ALUIZNI-it në Sarandë, të arrestuar, që ju i shkoni në qeli. Doni të jeni të angazhuar?! Ne e kemi thënë në opozitë se kemi punuar për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ju na thatë se ajo ishte mekanizmi, nazist i Edi Ramës për kundërshtarët. Falemnderit për Byronë! Atëherë, dilni këtu e na thoni se cili është qëndrimi juaj zyrtar për ministrin tuaj të arrestuar! Për kryetarin tuaj të bashkisë të arrestuar!”

Po menjëherë reagoi Paloka dhe ironizoi Tahirin duke iu referuar masakrës së djeshme në Elbasan, i kujtoi uniformat e policisë, që mendohet të kishin veshur personat, që kryen antentatin.

Reagimi i Palokës:
“Është turp, që ky vjen akoma këtu dhe na thotë se çfarë të bëjmë. Të na thotë: A kishin kamera ata me uniforma policie dje, që masakruan 3 vetë dhe plagosën 6 të tjerë?! Në vend të vijë këtu të na flasë për këtë, na vjen e na flet për Ben Blushin. S’na duhet fare neve se, çfarë bëni aty brenda, por lëreni propagandën e të flasim për këtë projektligj, që e hodhi poshtë gjykata dhe ne ramë dakord për një formë tjetër projektligji.”

Reagimet vijuan njëra pas tjetrës dhe fjalën e morri Kryeministri, Rama i cili tha se Byroja e hetimit ka qënë pjesë e programit të PS, që pa marrë qeverinë dhe shtoi se të djathtë janë të lirë të shpifin e se për këtë pikë nuk ka ndërmend të bëjë betejë. Ai akuzoi opozitën se janë grup që vetëm banalitete iu vihen në gojë nga lideri i tyre dhe i doli dhe në mbrojtje Ministrit Tahir, pas akuzave të Palokës. Madje iu tha metaforikisht se nuk kanë as bojë. Rama tregohet i bindur kur iu tha të djathtëve se pavarësisht se shpifin vijnë të votojnë reformën në drejtësi. Kryeministri bëri dhe një “kërcënim” kur iu tha se do të digjen me vota popullurore nëse nuk e votojnë reformën në drejtësi.

Pjesë nga deklarata e Ramës:
“Nuk e përcaktoni dot ju se kush është i korruptuar, se kush vjedh, se kush hajdutëron. Sepse së pari jeni pa bojë, s’keni asnjë lloj boje në raport me të vërtetën. Ju ka rënë cdo cifël boje dhe keni 2 vjet e gjysëm që s’keni marrë asnjë masë për t’i rikthyer pigmentin partisë dhe kështu si e keni nisur, 1 vit e gjysëm kohë keni për të parë se sa e vërtetë është kjo që them, do shpartalloheni sic nuk jeni shpartalluar në 2013. Sa për Policinë e Shtetit, sa për marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me qytetarët, sa për betejën e policisë me krimin dhe kriminelët, kam vetëm një lutje, jo për ju, por lutem që ju të vazhdoni të bëni çdo ditë një fletë-rrufe kundër policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Eshtë publiciteti më i mire, që ju i bëni faktit se ju jeni pa asnjë lloj boje, pa vizion, pa program, pa sens drejtimi, pa sens të së ardhmes dhe vetëm recitoni banalitete, që jua vënë në gojë, se ju që jeni ju këtu nuk dini fare as çfarë bëhet, as kush e bën, as ca bën, ju tregojnë përralla nga lideri te administratori i një ndërmjarrjeje të falimentuar!”

Eduard Halimi e pa ndryshe këtë deklaratë të Ramës, pasi tha se modeli i Burosë së hetimit në programin e Ps ishte me përmbajtje të tillë, që kryeministri e merrte në varësi këtë strukturë dhe kjo mund ti lerë shteg korrupsionit. Halimi tha se të djathët duan, që kjo reformë të bëhët, por jo sipas varjantit të PS, por sipas standarteve ndërkombëtare dhe vëtëm kështu mund ta votojnë madje shtoi ai edhe që nesër.

Pjesë nga fjala e Halimit:
“Byroja ka qenë në programin e PS. Kjo është e vërteta. Modeli i Byrosë është që Edi Rama, Kryeministri të ketë nën hyqmë Byronë Kombëtare të Hetimti. Ky është modeli që ka në programin e PS. Ky është modeli. E mori, e solli këtu në Parlament, cfarë thamë ne. Thamë jo. Byroja të ngrihet, por të mos jetë në varësinë e Kryeministrit. Do të jesh ti që do të ulesh ta votosh me një këmbë. Për reformën në drejtësi hajde ta votojmë që nesër. Ulu me kryetarin e opozitës për ftesën dhe e miratojmë që nesër.”
Me Halimin replikoi sërisht Tahiri, ku këmbënguli, që PD të japë sqarime për akuzat e drejtuesve të saj kur qeveriste.

Ndërsa deputeti i djathtë, Astrit Patozi në pjesën e diskutimeve për Moratoriumin 10-vjeçar për pyjet, e ka konsideruar si “një shfaqje të shëmtuar” këtë politikë për mjedisin madhe dhe duke bërë dhe një krahasim, si “një politikë të shpifur” të Kryeministrit Rama në një vend ku “po sharrohen njerëzit”. Patozi ashpërsoi dhe gjuhën kur e krahasoi Ramën me vrasësit me pagesë.

Ja ç’tha Patozi:

“Unë e kam sërish të vështirë ta duartrokas dhe përshëndes sot Edi Ramën. Sepse më duket njësoj si një vrasës me pagesë, që pasi ka çuar në atë botë dhjetëra viktima, derdh lotë të nxehtë kur i ngordh qeni apo kur i thahet lulja në ballkon nga i ftohti. Natyrisht që unë nuk jam ekspert pyjesh dhe nuk do të flas sot si i tillë. Por besoj se nuk ka nevojë të kesh lindur apo jetuar në pyll për të njohur dhe kuptuar vlerën e tij për një vend dhe për një popull. Nuk po i hyj këtu ekskluzivitetit që na takon si parti, e cila sipas Edi Ramës e përfaqëson më mirë se kushdo shpellën dhe pyllin, kryesisht për shkak se disa udhëheqës të saj janë nga Veriu i Shqipërisë. Megjithëse nuk jam nga ato anë, unë nuk mund të mos e ndjej njësoj përcmimin e kryeministrit, sepse besoj që ai nuk e ka inatin me vendlindjet tona, por e gjitha vjen për shkak se ne jemi kundërshtarë të tij. Kjo është një qeveri që i ka vënë sëpatën shpresës së njerëzve se këtu mund të jetohet normalisht dhe me djersën e ballit, se këtu mund të ketë një minimum drejtësie, ku i dobëti dhe i varfëri nuk do të injorohet dhe poshtërohet, dhe që ky të mos jetë një vend ku të fortët e rrugës bëhen poltikanë dhe politikanët bëjnë si të fortë në rrugë. Unë e refuzoj këtë lloj politike të shpifur sic dhe nuk e pranoj dot këtë shfaqje të shëmtuar shtirjeje, sikur po bëjmë sa dhe si duhet për zgjedhësit tanë.”

Article Logic
Execution time: 0.0029139518737793