INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Parlamenti “pushtohet” nga debate të nxehta për Baronin e Drogës, vëllezërit Froku dhe Shullazin

Parlamenti “pushtohet” nga debate të nxehta për Baronin e Drogës, vëllezërit Froku dhe Shullazin

Publikuar më: 13:31 12-05-2016

Senaca parlamentare, që në nisje nuk ishte fare e qetë. Opozita ka ngritur akuza të forta për qeverinë duke përmendur dhe disa nga eksponentët e dyshuar apo që kanë kryer krime të mëdha jo vetëm në vendin tone, por dhe në shtete të tjera.
Ish-kryeministri, Sali Berisha akuzoi Edi Rama dhe drejtues të policisë, për lidhje me trafikantët e drogës dhe bandën e Emiljano Shullazit, madje e cilësoi dhe vetë Ramën si “EdEskobarin” e Ballkanit. Berisha tha se kjo qeveri është një organizatë e rrezikshme kriminale dhe shtoi se do të nxjerrë të gjithë vrasësit, që qëndrojnë pas tyre.

Sali Berisha tha: “Në pafytyrësi të plotë dolën përpara botës se fshihnin krimin e Arben Frrokut. Fshini krimin monstruoz të Mark Frrokut. Do t’ju nxjerr vrasësit që mbani pas vetes, që janë burra më të mirë se ju. Nuk janë frikacakë dhe njerëz pa karakter, pa fytyrë, që përdorni imunitete për të mbrojtur vrasës. Ju kanë gjetur ju se ata vrimë miu nuk do të gjenin nëse si mbronit ju. Kjo është betejë për jetë a vdekje. O do çlirohen shqiptarët nga kjo organizatë kriminale ose e ardhmja e tyre është zero. Droga nuk do ti mbytë këta qytetarë.”

Po menjëherë reagoi Rama duke i bërë thirrje opozitës të lërë mënjanë, akuzat të cilat sipas tij nuk janë tjetër veçse alibi për të frenuar reformën në drejtësi.
Ai shtoi se të djathtët thonë vetëm përralla për të shtyrë reformën.

Rama tha: “Ju thoni se nuk ka rëndësi koha, por cilësia. Po si do bëhet cilësia më e mirë duke mbyllur derën si të ishte një shishe verë dhe ta lësh të përmirësohet vetë. Ju i ikni reformës se bën dy gjëra, shemb piramidën e sotme të sistemit të drejtësisë. Cilësia e reformës përmirësohet duke punuar bashkërisht. Lëreni këtë valle dhe uluni ti japim fund kësaj historie, që po bëhet gjithnjë e më shumë një barrë e rëndë në kurriz të këtij vendi, që meriton të çelë negociatat këtë vit, meriton ta shikojë të shembet këtë sistem në sytë e vetë. Alibitë s’ju shpëtojnë nga reforma as Shulla as Shullazi as Frroku as Saliu”.

Pas fjalës Rama u largua nga salla.
Ndërsa Berisha i tha: Mos ja mbath… s’ja mban iku...

Po gjithësesi Berisha i dha përgjigje duke i thënë se e majta është hipokrite dhe hiporkizia është me e madhe se reforma në drejtësi.
Berisha tha: “Ajo do bëhet, por 8 muaj rresht ju nuk e pranuat opozitën të punonit në kushte normale. Kryegjykatës, kryehetues dhe kryeprokuror donte të ishte Edeskobari. Opozita nuk u largua, e mori draftin bëri rreth 40 vërejte ndër to 34 morën “ok” nga Venecia. Keni bërë gjithçka për të krijuar një sistem drejtësie që s’ka ekzistuar edhe në diktaturë edhe diktatori kishte hetuesi prokurori dhe gjykata”.
Berisha shkoi dhe më tej kur akuzoi kryeministrin se ai përmes një të besuar Ë. Agaçe ka zhvilluar një bisedë në Gjykatën Kushtetuese për më shumë se dy orë para se ti hiqej mandati deputetit Kokëdhima.

Në debat u përfshi dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili reagoi pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha për trafikun e drogës, duke e cilësuar të papranueshme përbaltjen që i bëhet Policisë së Shtetit sa herë goditet krimi.
Tahiri tha: “Një gjë është e sigurtë, llumi i akuzave dhe përbaltjes në këtë parlament duhet të marrë fund. Ky njeri del këtu për interesa të vetat, kjo nuk është normale, kjo duhet të marrë fund.”
Ministri Tahiri foli dhe për reformën në drejësi duke thënë se parlamenti nuk ka asnjë lloj legjitimiteti pa reformën në drejtësi dhe se votimi i kësaj reforme është guri i provës për opozitën.

Ish-Kryeministri Sali Berisha në seancë ka thënë edhe se ka kërkuar nga PD që të nisë proçedurat për shkarkimin e Erion Veliajt pas protestës që bëri përpara Gjykatës një ditë më parë, pasi sipas Berishës, Veliaj kërcënoi gjykatësit, e kjo përbërë një vepër penale.
Në të njëjtën linjë ka qënë dhe demokrati, Astrit Patozi, i cili nga foltorja e kuvendit u ka bërë thirrje ambasadorëve të SHBA dhe BE-së, të mos heshtin ndaj protestës së kryebashkiakut, Erion Veliaj në hyrje të Gjykatës Administrative. Patozi argumenton që ata duhet të ndërhyjnë nëse nuk duan ta kompromentojnë rolin e tyre si arbitër të paanshëm si në rastin e Reformës në Drejtësi.

Ndërsa Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi ka shpërthyer në kritika edhe ndaj Edi Ramës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Blushi tha se Rama dhe Berisha konkurrojnë me njëri-tjetrin për borxhin e rritur, shkatërrimin e vendit, dhe për padrejtësi.
Sipas Blushit, në tre vite qeverisje, Rama nuk ka bërë punë tjetër, veçse ka lyer me bojë gërmadhën që la Berisha.

Blushi tha: “Kryeministri tha se ju nëse doni të merrni një vendim shkoni të merrni votat. Një fukara që ankohet se asistenca e vet është e pamjaftueshme, duhet të bëjë një parti që të marrë vota, që të marrë një vendin. Pse kështu, vetëm kush merr vota ka të drejtë të marrë vendime në këtë vend. Herën e kaluar unë ika nga ky parlament 4 orë foli kryetari i rilindjes, e 4 orë ish-kryetari i lindjes, kështu po i quaj tani. E vetmja gjë që ama po bën në 3 vite, është se po lyen me bojë gërmadhën e Sali Berishën. Lyeje me çfarë të duash gërmadha gërmadhë mbetet. Ky kryetari i lindjes ka 25 vite që qeveris, drejton, quajeni si të doni, e ky tjetri i rilindjes ka 18 vite. Njësoj është. Drejtohemi nga dy të paaftë, një i djeshëm, një i sotëm.”

Article Logic
Execution time: 0.0039079189300537