INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Partitë ekstreme evropiane kërkojnë referendum si Britania

Partitë ekstreme evropiane kërkojnë referendum si Britania

Publikuar më: 12:07 24-06-2016

Votimi pro shkëputjes nga BE-ja në Britaninë e Madhe ka nxitur partitë e së djathtës ekstreme rreth Europës të kërkojnë mbajtjen e referendumeve edhe në vende të tjera anëtare. Liderja e Frontit Nacional në Francë, Marin Le Pen deklaroi se edhe francezët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin.

Një kërkesë të ngjashme pati edhe politikani holandez kundër emigracionit, Geerd Wilder, i cili tha se Holanda e meritonte një referendum të tillë, ndërsa Liga Veriore Italiane pohoi se tani ishte rradha e tyre. 52% e britanikëve votuan për largimin nga Bashkimi Europian dhe analistët i druhen një efekti domino që mund të kërcënojë të gjithë organizatën.

Le Pen vlerësoi rezultatin e referendumit në rrjetin social Twitter, duke thënë se kjo ishte një fitore për lirinë. Ajo është mes pretendentëve kryesorë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, por sondazhet sugjerojnë se ajo do të humbiste në balotazh. Ndërsa, holandezi Wilders, lideri i Partisë së Lirisë në Holandë tha përmes një deklaratë, se duan të marrin në duar frerët e vendit, parave, kufijve dhe politikave të emigracionit. Holanda përballet me zgjedhjet e përgjithshme në mars dhe disa sondazhe sugjerojnë se Wilders kryeson.

Ai ka premtuar se nëse do të bëhet kryeministër do të shpallë referendumin për shkëputjen nga BE-ja. Një sondazh i zhvilluar së fundmi sugjeron se 54% e qytetarëve holandezë kërkojnë mbajtjen e referendumit. “Urra për kurajon e qytetarëve të lirë. Zemra, truri dhe krenaria mundën gënjeshtrat, kërcënimet dhe shantazhet”, shkruajti në Twitter Mateo Salvini, lideri i partisë kundër emigracionit në Itali. “Ju faleminderit, tani është radhë jonë”, shprehet ai. Norbert Hofer, ish-kandidati i Partisë euroskeptike të Lirisë së Austrisë, shkruan në Twitter se, “në ditët e ardhshme ne do të kuptojmë qëllimin e vërtetë të këtij vendimi”. Hofer humbi zgjedhjet e fundit presidenciale në Austri me një diferencë shumë të ngushtë ndaj rivalit, Alexander Van der Bellen.

Por Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian tha se nuk është momenti për reagime të tilla histerike. “Vitet e fundit kanë qenë më të vështirat në historinë e unionit, por babai im thoshte, ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”, ishin fjalët e Tusk.

Article Logic
Execution time: 0.0037741661071777