Nesër në orën 20:00 në ‘Elbasan Arena’ do të zhvillohet ndeshja Partizani – Ferencvaros e vlefshme për turin e dytë eliminator të Champions Leagues.
Policia e Elbasanit ka bërë të ditur masat e marra për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje ku në stadium nuk do të lejohet marrja e fëmijëve pa u pajisur me biletë.
“Nga ora 18:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit; nga bulevardi “Kamber Sejdini”, në orën 18:00, nuk do të lejohet lëvizja dhe parkimi i mjeteve. Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 185 punonjës policie, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet vartëse të saj dhe FNSH-ja”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia i bën thirrje sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta; shishe; fishekzjarrë; monedha apo metale.