Partizani do të ketë ditën e sotme një sfidë vendimtare përballë Karabagut, e cila mund t’i mundësojë kualifikimin për në fazën tjetër të Champions League.
Kampionët e Shqipërisë do të udhëtojnë për në Azerbajxhan, teksa ndeshja e parë e luajtur në Tiranë përfundoi me rezultatin 0-0. “Demat e Kuq” qoftë edhe me anë të një barazimi 1-1 mund të arrijnë të marrin një kualifikim të vlefshëm.
Trajneri italian Franco Lerda është shprehur se ekipi i tij nuk do të jetë thjesht për ekskursion në Baku.
Kjo përballje do të luhet në Dalga Arena të Bakut i cili është përuruar në 6 qershor të vitit 2011 dhe ka një kapacitet me 6500 vende.
Partizani ka fluturuar që prej dy ditësh në Azerbajxhan dhe në ditën e sotme ka kryer seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes që do të zhvillohet në orën 19:00.
Nga kualifikimi, në turin e dytë të Championsit të kuqtë arkëtojnë 380 mijë euro shtesë, përkundrejt 260 mijë eurove që të ofron Liga e Europës në tur të dytë. Me kalimin e Karabakut, në rastin më të keq arrijnë të përfitojnë edhe 280 mijë euro duke kaluar në turin e tretë të Ligës së Europës.