Partizani është rikthyer një ekip i fortë dhe bindës, ndërsa Flamurtari ka pësuar një tjetër goditje, sërish nga një rival direkt në luftën për titullin kampion. Të kuqtë kanë fituar 2-0 në “Selman Stërmasi”, duke barazuar përkohësisht Skënderbeun në krye.
Nga ana tjetër, skuadra e Flamurtarit rëndon pozitat e saj, duke mbetur në kuotën e 7 pikëve, në vend të katërt, e rrezikuar nga shumë ndjekës, me të cilët i ndan vetëm 1 pikë. Dy humbje radhazi nga 2-0, teksa para një jave humbi në shtëpi me Skënderbeun.
Ishte Mensah, ai që i dha kryesimin Partizanit në minutën e 21’. Një gol fantastik, pas një askioni nga e djathta, i shpejtë dhe shpërthyes, pasi i shpëton mbulimit të mbrojtjes, gjuan në djagonale për të kaluar portierin dhe dërguar topin në rrjetë.
Kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar, Telushi ndëshkon ish-ekipin e tij më një gol spektakolar nga goditja e dënimit, për të sigluar rezultatin final në shifrat 2-0 në favor të Partizanit. Gol që ka emocionuar pa fund lojtarin vlonjat, i cili nuk ka festuar, por ka lotuar.