As Partizani e as Skënderbeu nuk mundën dot të fitojnë sfidën më të rëndësishme të javës së 26 të Kategorisë Superiore. Përballja mes tyre e zhvilluar në “Qemal Stafa” përfundoi në barazimin 1-1, në një ndeshje ku u pa gjithçka, golat, tensioni, kartoni i kuq si dhe një penallti e humbur.
Partizani u shfaq agresiv që në minutat e para të ndeshjes duke kërkuar më shumë se Skënderbeu. Në minutën e 19-të, Raçiç iu afrua golit të avantazhit për “të kuqtë”, por nuk mundi dot të godasë në portën e Shehit.
Megjithatë sulmuesi i skuadrës kryeqytetase e korrigjoi gabimin pak sekonda më vonë kur e dërgoi topin në rrjetë duke përfituar edhe nga një gabim i portierit Shehi, për të festuar pranë tifozerisë së Partizanit në mënyrën “alla Totti” me një “selfie”.
Skënderbeu nuk mundi dot që të bënte shumë në pjesën e parë e cila u mbyll me avantazhin 1-0 për Partizanin.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu fitoi më shumë terren duke tentuar më shpesh zonën e skuadrës së Agostineli. Por në minutën e 75-të, Partizani pati mundësinë më të mirë për të dyfishuar rezultatin me anë të një 11-metërshi të cilin Raçiç nuk mundi dot ta konvertojë në gol.
Pikërisht kur u mendua se Partizani po shkonte drejt një fitoreje tjetër ndaj Skënderbeut, korçarët goditën me Vangjelin që shënoi golin e barazimit në 1-1 pas një goditje dënimi.