INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pas 20 vjetësh do kthehet uji në Shkozë [FOTO]

Pas 20 vjetësh do kthehet uji në Shkozë [FOTO]

Publikuar më: 12:05 03-08-2016

Banorët e Shkozës prej më shumë se 20 vitesh kanë patur probleme të theksuara në lidhje me furnizimin me ujë dhe për këtë arsye ata ishin të detyruar të furnizoheshin me bote. Po falë një investimi të marrë nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellësit më në fund mbi 1500 banorë do të kenë ujë të mjaftueshëm në çezmat e tyre. Gjatë inspektimit të punimeve për zgjidhjen e problematikës së krijuar prej vitesh në këtë zonë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se po investohet në çdo pjesë të qytetit. Ai shtoi se fillimisht UKT-ja po shtron rrjetin e ujit, madje rruga do të shtrohet me asfalt dhe do të bëhet rehabilitimi urban i zonës. Sipas Veliaj ky koordinim midis kompanive publike bëhet për të shmangur çdo humbje në investimet e bashkisë, ndryshe nga sa veprohej më parë kur rrugët, pasi asfaltoheshin çaheshin edhe njëherë nga ujësjellësi.
“Kemi vendosur që në këtë zonë, të cilën e përfshin njësia 1 dhe është zhvilluar kryesisht pas viteve ’90, të investojmë në rrjetin kryesor të ujësjellësit që lidhet direkt me depon e ujit, për t’u siguruar që shtojmë ujin e pijshëm, në mënyrë që banorët të mos e blejnë me bot, por edhe të ndalim ndërhyrjet në rrjet”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se krahas ndërtimit të infrastrukturës, po investohet edhe në kulturë, që banorët të kujdesen për ta paguar atë.

Pjesë nga fjala e Veliaj:
Sigurohemi që qytetarët të marrin cilësi në shërbim, por edhe pa u prishur punë qytetarëve të tjerë duke ua vjedhur ujin me lavazhe apo me vaditjen e arave, e rrjedhimisht lënë pa ujë gjysmën e Tiranës. Nëse çmimin e ujit publik krahasohet me ujin që shitet me bote, qytetarëve u bie më lirë të jenë në rregull me shtetin se sa ta blejnë ujin me bote apo duke ndërhyrë në mënyra të paligjshme në rrjet, çka mund të të çojë edhe përpara drejtësisë. Por, sigurisht që nuk ke të njëjtën cilësi nëse ujin e merr me bote, madje është edhe joetike, sepse duke vjedhur ujin nga rrjeti i bën dëm fqinjit tënd, kushëririt tënd, familjarit tënd disa metra më tutje. Që t’ia arrijmë atij standardi dhe atij misioni që kemi vendosur për veten tonë, që të kemi ujë 24 orë, do të duhet që çdo zonë, atje ku ka një rrjet të mbyllur, të jetë korrekte dhe pastaj atë korrektesë të pagesës së faturës së ujit ne ta përkthejmë menjëherë në investime. U bëj thirrje qytetarëve, vazhdoni të jeni korrektë me ujësjellësin, vazhdoni të kurseni ujë se është një mall dhe si çdo mall ka një fund dhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, me investime dhe me infrastrukturë të dobishme për këtë komunitet.

Article Logic
Execution time: 0.0028378963470459