Arsenali arriti të marrë një fitore të vyer në shtëpi kundër një rivali direkt si Manchester United, në "Emirate Stadium".
Topçinjtë e Londrës mposhtën 2-0 Manchester United dhe ndezën shpresat për të siguruar një vend në Champions League, për sezonin e ardhshëm.
Djajtë e kuq vinin në këtë takim me disa mungesa dhe disa futbollistë të lënë pushim nga trajneri portugez Jose Mourinho. Të dy ekipet zhvilluan një pjesë të parë të barabartë, por e mbyllën pa shënuar dot në portat respektive.
Në minutën e 54, Granit Xhaka zhbllokoi rezultatin me një goditje nga larg, e cila u devijua nga një futbollist i Manchesterit dhe përfundoi në rrjetën e portierit De Gea. Tre minuta më pas, Welbeck shfrytëzoi më së miri një top të dërguar në zonë nga Chamberlain dhe dyfishoi rezultatin.
Minutat e mbetura nuk sollën asnjë zhvillim interesant, pasi Arsenal u mundua të administrojë avantazhin e dyfishtë, ndërsa Manchester bëri shumë pak për të shënuar.
Me këtë humbje, ekipi i Mourinhos prishi edhe serinë prej 25 ndeshjesh radhazi pa humbje, në Premier League.
Hera e fundit që Manchester United mposhtej, ishte ndeshja ndaj Chelsea, në 23 tetorin e vitit të kaluar, e fituar nga ekipi i Contes me rezultatin 4-0.