INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pas 26 vitesh, Partizani shpallet kampion i Shqipërisë [FOTO]

Pas 26 vitesh, Partizani shpallet kampion i Shqipërisë [FOTO]

Publikuar më: 18:33 12-05-2019

Kryeqyteti ngjyroset me “të kuqe”! Triumfi 2-1 i Partizanit ndaj Tiranës në superndeshjen e javës së 33-të të Kategorisë Superiore për sezonin 2018-2019 zyrtarizoi njëkohësisht edhe titullin kampion për “Demat e kuq”, që rikthehen kështu t’i gëzohen një trofeu pas 26 vitesh.

Dygolëshi i shënuar nga Cinari, që tronditi rrjetën e bardhebluve një herë në pjesën e parë dhe një herë në të dytën, pavarësisht se Tirana barazoi përkohësisht në fundin e 45-minutëshit të parë me anë të Grecës, bëri që duelin kryeqytetas ta fitonin “të kuqtë” dhe njëkohësisht të kurorëzoheshin kampionë të futbollit shqiptar.

Në “Selman Stërmasi”, menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit të ndeshjes, ka shpërthyer festa e shumëpritur e tifozëve të Partizanit, një sukses i merituar dhe tejet i arritur, pasi vjen 3 javë nga fundi i kampionatit shqiptar të futbollit. Si për ironi të fatit, shampanja është hapur pikërisht përballë rivalëve të përjetshëm të kryeqytetit, në “shtëpinë” e Tiranës dhe ndaj një ekipi që edhe këtë vit do të duhet të luftojë për mbijetesën.

Sa i përket ndeshjeve të tjera, Luftëtari mposhti në Gjirokastër Kukësin me rezultatin 3-2 dhe hodhi një hap më tej drejt sigurimit të mbijetesës në Kategorinë Superiore. Gjirokastritët shënuan me Chanti që në minutën e 6 të takimit, por verilindorët e nisën vrullshëm pjesën e dytë, duke shënuar me Reginaldon dhe Ëillian, e duke përmbysur sfidën. Megjithatë, Luftëtari, që nuk mund të pajtohej me humbjen në shtëpi, gjeti barazimin në minutën e 74-t me anë të Dungës dhe vetëm 7 minuta më vonë edhe golin e fitores, me anë të Rapos.

Braziliani i huazuar nga Kukësi, Roger bëri heroin te Kastrioti, duke shënuar dy herë në portën e Flamurtarit dhe duke iu dhënë krutanëve 3 pikë të vyera falë triumfit me rezultatin 2-0. Me këtë rezultat, por edhe duke shtuar faktin që Tirana humbi 2-1 në derbin ndaj Partizanit, Kastrioti rihap garën për mbijetesë, pasi tani ka vetëm dy pikë më pak sesa bardheblutë, me të cilët do të përballet në sfidën direkte të javës së ardhshme.

Betejën për Europën në Korçë, mes Skënderbeut dhe Teutës, e fituan durrsakët me rezultatin 1-2. Sidibe dhe Bushiç shënuan për durrsakët, ndërsa korçarët rihapën takimin në minutën e 85-të me anë të Krasniqit, por nuk ia dolën të marrin qoftë edhe një pikë.

 

WhatsApp-Image-2019-05-12-at-17.40.33.jpg

WhatsApp-Image-2019-05-12-at-17.40.24.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0022099018096924