INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pas akuzave të Bregut, Selamit dhe Topallit, reagon Lulzim Basha

Pas akuzave të Bregut, Selamit dhe Topallit, reagon Lulzim Basha

Publikuar më: 19:12 01-05-2017

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për herë të parë në Facebook që pas deklaratave të forta të tre deputetëve të PD-së, Majlinda Bregu, Jozefina Topallit dhe Eduart Selamit, të cilët kritikuan hapur kryeopozitarin.

Megjithëse Basha nuk i përgjigjet deputetëve “rebelë”, ai komenton situatën aktuale të regjistrimit të partive në zgjedhje.

Ajo që tërheq vëmendje në reagimin e Bashës është mospërsëritja e thirrjeve për mosbindje civile dhe bojkot, çka e bën thuajse gjithmonë, por çështja e regjistrimit në zgjedhje, për çka edhe u kritikua nga Bregu e Selami.

Basha shprehet se në votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor, koalicioni qeveritar që "shtiret sikur janë 17 subjekte".

Reagimi i plotë:

E vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor: koalicioni i 2015-ës që është ende në pushtet. Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër.

Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve duke u shtirur sikur janë 17 subjekte. Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij.

Por shqiptarët nuk mashtrohen. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, në asnjë formë. Sot nuk mund të përsëritet dot më skema e Ramiz Alisë, që pretendoi zgjedhje “pluraliste” me Partinë e Punës, Frontin Demokratik e Bashkimin e Grave, deri sa studentët, intelektualët dhe qytetarët e Lëvizjes së Dhjetorit e ndalën maskaradën e tij. Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë.

Article Logic
Execution time: 0.0036389827728271