Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratat e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke bërë një paralelizëm mes tij dhe Sajmir Tahirit. Deputeti Enkelejd Alibeaj, tha në një konferencë për mediat se Xhafaj i bëri të qartë Ramës se largimi i tij do të thotë rrëzim për qeverinë.
Alibeaj e krahasoi sjelljen e Xhafajt përpara kamerave me atë të paraardhësit të tij, Saimir Tahiri, kur shpërtheu skandali me Habilajt. Deputeti demokrat theksoi se shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës apo Fatmir Xhafajt rezultate ekspertize nga laboratorë apo agjensi të paidentifikuara për audio-përgjimin.
Ai akuzoi gjithashtu ministrin për mashtrim lidhur me pretendimin se nuk është subjekt i ligjit antimafia.
Reagimi i plotë:
Kushdo që ka parë sot Fatmir Xhafajn të bëjë viktimën e një komploti, i është kujtuar Saimir Tahiri që derdhte lot krokodili në të njëjtën natë që kërcënoi Edi Ramën se burgosja e tij ishte baraz rënien e qeverisë dhe Edi Ramën në burg!
Fatmir Xhafaj ndoshta nuk ka një dosje aq të pasur sa të Saimir Tahirit për Edi Ramën, por ai njësoj si Tahiri, paralajmëroi Ramën se largimi i tij do ta thotë rënie e qeverisë!
Për të bërë këtë kërcënim për Ramën, Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se po bashkëpunon me djallin për të rrëzuar qeverinë!
Por kjo është më e parëndësishmja dhe pjesë e luftës së tyre të brendshme për pushtetin e kriminalizuar deri në palcë!
E vërteta është se materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.
Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj u dërgua në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figurë!
Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës apo Fatmir Xhafajt rezultate ekspertize nga laboratorë apo agjensi të paidentifikuara!
Fatmir Xhafaj pati guximin të flasë edhe për dhimbjen e tij si vëlla pse vëllai trafikant droge, më në fund po kryen dënimin e merituar, si çdo qytetar tjetër në të njëjtat rrethana. Por, njësoj si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, nuk pati guximin të thotë asnjë fjalë ne deklaratën e tij për përgjegjësinë e tij direkte për moszbatimin e logjit Antimafia!
Është gënjeshtër dhe mashtrim përgjigja e tij se nuk është subjekt i ligjit Antimafia!
Është gënjeshtër dhe mashtrim se ai nuk i pengon hetimet për vëllain trafikant droge nga detyra e Ministrit të Brendshëm!
Është kriminale akuza e Fatmir Xhafajt se opozita vepron për llogari të interesave kriminale!
Është i njëjti qëndrim si i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, kur ne denoncuam kriminelët e Edi Ramës në parlament dhe bashki, kur denoncuam avionët e drogës, kur denoncuam kanabizimin e vendit, kur denoncuam se Saimir Tahiri kishte lidhje me bandat e trafikut te droges, kur denoncuam se është Edi Rama arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin!
Opozita është i vetmi autoritet në këtë vend që ka denoncuar lidhjet e qeverisë Rama me krimin! Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një bande kriminale qeverisëse që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!
Beteja jonë do të vazhdojë me të njëjtën forcë!